E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, testim paraprak për nivelin e nxënësve

15/04/2009  Matura 2009, përzgjedhja e pyetjeve vendimtare të testit do të bëhet pas testimit të njohurive

Testi i provimeve të detyruara do të përmbajë 25 pyetje

Përzgjedhja e pyetjeve përfundimtare që do të përmbajë testi i maturës shtetërore si për lëndët e detyruara, ashtu dhe për ato me zgjedhje do të bëhet pasi të jetë përcaktuar niveli i njohurive që zotërojnë nxënësit. Për këtë është parashikuar që në të gjitha shkollat e mesme të bëhet një paratestim për të parë dhe nivelin e pyetjeve që duhet të përmbajë teza e provimeve, të cilat do të jenë vendimtare në caktimin e kandidatëve që do të ndjekin studimet e larta gjatë vitit të ardhshëm akademik.

Paratestimi

Vlerësimi i niveleve të nxënësve do të përcaktohet me anë të një paratestimi, i cili do të kryhet në të gjitha shkollat e mesme të vendit dy javët e fundit të mbylljes së vitit shkollor (që mbaron me inicimin e muajit maj). Përgatitja e tezave do të bëhet nga AVA dhe nga drejtoritë arsimore. Pas nxjerrjes së rezultateve të arritura nga nxënësit do të veprohet më pas në përzgjedhjen e pyetjeve që do të përmbajë teza përfundimtare që do të jepet në të katër provimet e maturës. Megjithatë, specialistët kanë pohuar se grumbullimi i fondit të pyetjeve, nga të cilat do të zgjidhen edhe pyetjet, tashmë është bërë. Këto të fundit përbëhen nga pyetje të cilat u përgjigjen tri niveleve të vështirësive të nxënësve, duke filluar nga dijet më të thjeshta për të përfunduar te pyetjet më të vështira, që janë për nxënësit e shkëlqyer. Paratestimi do të ndihmojë në orientimin e nxënësve në lidhje me temat dhe llojet e pyetjeve që mund të bien në provimet e maturës.

Tezat

Për provimet e këtij viti do të jetë një fond gjigant me rreth 1750 pyetje, nga të cilat hartuesit në marrëveshje me njëri-tjetrin do të marrin pyetjet më të përshtatshme për maturantët. Përzgjedhja e këtyre pyetjeve do të bazohet në nivelet e vështirësive, duke filluar nga pyetjet më të lehta deri tek ato më të vështirat për nxënësit më të mirë.

Testi i provimeve për secilin nga provimet e detyruara (Matematikë dhe Gjuhë-letërsi) do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative dhe 12 pyetje me zhvillim. Ndërkohë testet e provimeve me zgjedhje të maturës shtetërore do të përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim.

Konsultimet

Gjatë punës për përgatitjen e nxënësve për provimet e maturës shtetëroren është e rëndësishme që herë pas here mësuesi të zhvillojë testime të nxënësve të tij, me teste që mund t’i hartojë vetë. Gjatë hartimit të tyre duhet mbajtur parasysh pesha për çdo linjë të përmbajtjes si dhe përfshirja e kërkesave të tre niveleve të vështirësisë,në raportet 2:2:1 (duke filluar prej nivelit minimal). Kërkesat duhet të jenë dy llojesh: me zgjedhje të shumëfishtë e me shtjellim të argumentuar. Duke ndjekur me vëmendje mundësitë reale të nxënësve, ai duhet të përqendrohet në ushtrime të lehta, por të larmishme, që favorizojnë përvetësimin jomekanik të koncepteve dhe zotërimin e shkathtësive e të shprehive të domosdoshme. Për dy provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje është përcaktuar që zhvillimi i konsultimeve të bëhet menjëherë sapo të mbarojë viti shkollor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›