E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana e nis mirë të mbrojë trofeun, Vllaznia përmbys me të rinjtë

KUPA E 60-TË E SHQIPËRISË, GRUPI A

Zhbllokohet edhe Skënderbeu pas 6 ndeshjesh pa shënuar, Kamza dhe Shkumbini munden dhe rrezikojnë kalimin e turit

Bekim Bala ka shpërthyer dje. Edhe pse një ndeshje kupe, ai ka shënuar tre gola, duke u kthyer kështu përgjigje atyre që e kanë kritikuar në këtë start. Në fakt, ai u çlirua që në Krujë me golin e shënuar dhe duke përfituar nga përballja me ekipin modest të Himarës, ai ka gjetur tripletën e parë të këtij sezoni.

Kështu, Tirana ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme mbrojtjen e trofeut të Kupës së Shqipërisë, trofe që ia mori Dinamos në finale sezonin e fundit. Ka përfituar edhe nga fakti që ndeshja është luajtur në kryeqytet.

Duke qenë se nuk do të kishte udhëtim të gjatë, ashtu si shumë ekipe të tjera, trajneri spanjoll Hulian Rubio e ka konsideruar si një ndeshje e kontrolli me Himarën modeste, që për hir të realitetit, kishte ardhur vetëm për të respektuar kompeticionin, duke mos pasur ambicie. Ndeshja e kthimit sërish do të jetë një test, pasi fjala kualifikim as që dëgjohet, pasi Tirana është në turin e dytë.

Mungojnë goleadat Ndryshe nga sezonet e kaluara, ku në raundin e parë shënoheshin shumë gola dhe ekipet sikur çliroheshin, sidomos pretendentët e superligës, dje në ndeshjet e para të grupit A kanë munguar fitoret e thella. Më thellë ka fituar Tirana, por që gjithsesi pritej të ishte e tillë. Ndeshja me më shumë gola ka qenë ajo në Sarandë mes Butrintit dhe Vllaznisë, 2-3, pesë gola të shënuar nga të dy skuadrat.

Shkodranët nuk e kanë pasur të lehtë fitoren, madje në pjesën e parë kanë qenë në humbje dhe është dashur pjesa e dytë për të përmbysur rezultatin. Trajneri Josa kishte lënë titullarët në Shkodër, ku kanë vijuar stërvitjen nën drejtimin e Plorit. Por edhe të rinjtë e kanë justifikuar veten, duke mos rrezikuar kalimin e turit të parë. Kujtojmë se vjet kuqeblutë rrezikuan shumë më Tërbunin e Pukës. U desh ndeshja e kthimit për të kaluar turin. Ndeshjet e tjera kanë fituar me rezultate të ngushta, përjashto Besën që fiton pastër 2-0 në Lezhë.

Zhbllokohen korçarët Një tjetër fakt interesant në ndeshjet e djeshme ka qenë edhe çlirimi i Skënderbeut. Kujtojmë që korçarët nuk shënonin prej 6 ndeshjesh zyrtare dhe dje kanë shënuar dy gola, edhe pse nga një mesfushor si Igli Allmuça. Gjithsesi, sulmi mbetet pa gol, edhe pse në fushë kanë qenë Xhafaj, Kërçiku dhe Ribeiro, mungonte vetëm Muzaka. Korçarët edhe janë ruajtur nga dëmtimet, sidomos në pjesën e dytë, duke kërkuar vetëm të mbyllin ndeshjen me një fitore, edhe pse minimale.

Shkumbini dhe Kazma Nëse mund ti quajmë surpriza, ato janë dy humbje, Shkumbini në Burrel dhe Kamza në Lushnjë. Kjo për sa i përket kategorive që luajnë ekipet, sepse ndesheshin dy ekipe të superiors me dy të kategorisë së parë. Por që duke luajtur në transfertë dhe duke mos pasur shumë pretendime, si Shkumbini, ashtu edhe Kamza, këto humbje mund të quhen normale. Fundja ishin vetëm takimet e para dhe me siguri që përmbysja do të vijë në takimet e kthimit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›