Kolateralet e ekzekutuara dalin në shitje
Një numër jo i zakonshëm pronash të vëna peng në banka kanë dalë në shitje gjatë muajve të fundit, por në shumë raste cilësia e tyre është e ulët, bëhet e ditur nga agjentë të pronave të paluajtshme. Bëhet fjalë për kolateralet e kredive të pashlyera, të cilat bankat synojnë t‘i likuidojnë përmes ankandeve që organizohen në zyrat e përmbarimit. Në Tiranë, Durrës, Kavajë e Shkodër, numri i pronave që dalin në shitje, pasi pronarët e tyre nuk kanë arritur të shlyejnë kredinë apo kanë hequr dorë, ka ardhur në rritje gjatë muajve të fundit. Shitja e pronave të sekuestruara pritet të kthehet edhe në një test për cilësinë e kredive të dhëna nga bankat. Mbi 80 për qind e kredive të dhëna në Shqipëri janë të kolateralizuara me prona të patundshme, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Por një pjesë jo e vogël e kolateraleve janë prona me vlerë të dyshimtë dhe shumë të vështira për t‘u shitur. Rasti i fundit: tri parcela toke u nxorën në shitje në një fshat pranë Durrësit me çmime që varionin në 20 euro për metër katror, por që askush nuk është interesuar për to. Likuidimi i kolateraleve të kredive të pakthyera është një fenomen relativisht i ri në Shqipëri. Numri i kredive të këqija është rritur në mënyrë drastike gjatë muajve të fundit, gjë që i ka vënë bankat përballë sfidës së shitjes së kolateraleve të zëna. Vlera teorike e kolateraleve mbulon së paku 150 për qind vlerën e kredisë, por në kushtet e krizës aktuale, bankat përballen me rrezikun e mosshitjes së shpejtë të kolateraleve.