E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi 1000 ish-naftëtarë "pa shtëpi"

Me dhjetëra pallate të ndërtuara me kontribut vullnetar gjatë viteve 1992-1994 në qytetin e Fierit dhe atë të Patosit po sjellin probleme për banorët e tyre. Këto pallate janë ndërtuar me kontribut vullnetar nga punonjësit e ndërmarrjeve që vareshin prej Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës, apo siç quhet tani kompania "Albpetrol" sh.a. Bëhet fjalë për 87 pallate me më shumë se 200 apartamente, që janë bllokuar për procesin e privatizimit të tyre. Në pallatet e ndërtuara në Fier dhe në Patos janë sistemuar ish-punëtorët e naftës, të cilët i kanë përfituar banesat falë punësimit të tyre dikur në sektorin e naftës. Por, pas marrjes së apartamenteve, banorët e këtyre pallateve kanë kërkuar privatizimin e tyre konform ligjeve. Sipas banorëve që kanë përfituar shtëpi nga nafta, mësohet se privatizimi është vonuar dhe zvarritur për më shumë se 17 vjet. Një vit më parë qeveria shqiptare ka nxjerrë një vendim ku paraqiste etapat e privatizimit të këtyre apartamenteve. Banorët që prej vitesh ishin në pritje të këtij vendimi të qeverisë, janë treguar të gatshëm për të paguar edhe tarifat. Por dokumentet për ndërtimin e disa prej këtyre pallateve nuk ekzistojnë më në kompaninë e naftës. "Janë mbi 7 pallate në qytetin e Patosit, dokumentet e të cilëve nuk gjenden askund. Ne si banorë me të njëjtin problem kemi shkuar te kompania ‘Albpetrol‘, por atje na kanë thënë se nuk ka dokumente për pallatet tona. Pa këto dosje, procesi që ne po kërkojmë prej vitesh nuk ecën", shprehet Vasilika Dashi, ish-punonjëse e sektorit të naftës që në vitin 1992 ka përfituar një apartament. "Nuk mund të kryejmë as ndonjë investim në shtëpitë tona, që i kemi përfituar me gjak. Punuam për më shumë se 30 vjet në naftë. Dhamë jetën në punë dhe kur përfituam një shtëpi, ende nuk mund ta bëjmë tonën. Ne jemi të gatshëm që të paguajmë tarifat vetëm që të na privatizohet shtëpia", pohon Fatmir Shurdha, banor i një tjetër apartamenti naftëtarësh.

Ata tregojnë se si shkak i mosprivatizimit, janë të privuar edhe nga transaksionet e banesave të tyre. "Më duhej të ikja në Tiranë me vajzat që filluan shkollën dhe nuk munda. Nuk e shes dot shtëpinë, se nuk kemi dokumente", thotë Vezir Llanaj, një tjetër banor. Në kompaninë e naftës "Albpetrol" të shpjegojnë se dosjet e apartamenteve të naftës që janë ndërtuar gjatë fillimeve të viteve ‘90, janë djegur në 1997-ën, kur është sulmuar dhe djegur godina e "Albpetrol"-it. Këtij problemi ende nuk i dihet zgjidhja, ndërsa më shumë se 200 familje me mbi 1000 banorë presin çfarë do t‘u sjellë koha për pronësinë e banesave të tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›