E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolec Topalli: Nuk lëvizin themelet e shqipes, ja rastet ku mund të preket ë-ja

TIRANE - Themelet e shqipes nuk tunden, sepse standardi bashkon kombin. Ai nuk shkatërrohet, nuk ndryshohet dhe nuk dyzohet". Kështu shprehet Kolec Topalli në një intervistë për "Gazeta Shqiptare". Mbas debatit të ngritur për mbledhjen e Këshillit Ndërakademik të gjuhës në Akademinë e shkencave në fund të muajit qershor, profesori (një ndër anëtarët) sqaron se nuk është marrë asnjë vendim që prek sistemin e gjuhës shqipe, pasi mbi të gjitha Këshilli nuk ka tagrin që të hedhë poshtë vendimet e Kongresit të drejtshkimit. Ai sqaron rastet kur shkronja ë mund të bjerë, por pa dëmtuar strukturën e gjuhës, por edhe rastet kur ajo do të shtohet ose t'i ndryshohet vendi.
Në datat 26-28 qershor në Tiranë është mbajtur një takim i Këshillit Ndërakademik të Gjuhës për drejtshkrimin e shqipes. Kush mori pjesë në të dhe çfarë u diskutua?
Në këtë mbledhje morën pjesë anëtarë të Këshillit Ndërakademik: Jani Thomai, Besim Bokshi, Rexhep Ismajli, Ethem Likaj, unë, Gjovalin Shkurtaj, Shezai Rrokaj, Shefkie Islamaj, Isa Bajçinca, Bardh Rugova, Rrahman Paçarrizi, Mehmet Çeliku, Imri Badallaj, Enver Hysa, Seit Mancaku, Tomorr Osmani, Abdullah Zymberi. Le të më falin nëse kam harruar ndonjë. Kjo është mbledhja e dytë për këtë vit, në të parën u diskutua për fjalët e huaja në gjuhën shqipe, kryesisht për anglicizmat. Këtë radhë, mbledhja kishte si temë problemet e drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe konkretisht të zanores së patheksuar ë.
Kjo zanore, gjendet edhe në fund të fjalëve, përshembull janë, kanë. A do të preket në këto raste?
Këto raste as që janë diskutuar fare, sepse nuk ka asnjë lloj mendimi se ato mund të hiqen, për shkak se kryejnë një funksion gramatikor. Problemi është diskutuar duke mbajtur parasysh në radhë të parë sistemin e standardit të gjuhës shqipe; duke marrë parasysh funksionet gramatikore e fonetike që ka kjo zanore në disa raste, kur ajo përdoret për të shmangur ndeshjet e grupeve bashkëtingëllore dhe ku është e nevojshme për lehtësi shqiptimi. Duke pasur parasysh të gjitha këto, janë diskutuar rastet në të cilat kjo zanore mund të reduktohet, mund të hiqet pa prishur kuptimin e fjalëve dhe pa dëmtuar sistemin gramatikor; rastet kur kjo zanore mund të shtohet për të lehtësuar shqiptimin dhe rastet kur kjo zanore mund të ndryshojë pozicionin brenda fjalës për të krijuar lidhje sistemore dhe për ta bërë më të lehtë drejtshkrimin e këtij tingulli.
Pra, janë tri raste kur mund të preket ë-ja e patheksuar. A mund të na jepni disa shembuj konkretë?
Është menduar se zanorja -ë- mund të bjerë në fjalët e prejardhura që përmbajnë prapashtesën tar, si për shembull tek emri gojëtar. Sipas drejtshkrimit, kjo fjalë shkruhet me zanoren -ë, por mund të shkruhet pa të, sepse edhe emrat lojtar e rojtar shkruhen pa -ë-. Atëherë, përse duhet përdorur tek fjala gojëtar? Pra, le të unifikohen rastet. Një shembull tjetër: kemi emrin popull, që ka krijuar popullsi e që shkruhet pa zanoren -ë-. Por rregullat parashikojnë që të shkruhet popullorësi me -ë-. Kjo nuk është e drejtë, se shtohet kot një rrokje. Me të njëjtën prapashtesë mund të shkruhet mjeksi pa -ë-, e jo mjekësi; pra, popull - popullsi, mjek - mjeksi, pasi është e njëjta prapashtesë dhe s'ka arsye që të shtojmë zanoren -ë-. Kemi emrin anëtar, që të gjithë e shqiptojmë antar, pa -ë-. Sikurse shkruajmë edhe gjuhë amtare, të shkruajmë edhe antar. Këto janë disa raste ku është parashikuar reduktimi i zanores -ë-.
Ka raste kur ajo duhet shtuar, sepse nuk ishte prirja vetëm për ta hequr; për shembull, emri hasm është parashikuar në drejtshkrim të shkruhet pa zanoren -ë-. Por, asnjeri nuk e shqipton dot hasm, prandaj këtu duhet shtuar kjo zanore e të shkruhet hasëm, ashtu siç thuhet ritëm jo ritm. Po kështu, emri britm e ka të nevojshme një zanore -ë-, kurse drejtshkrimi parashikon që të shkruhet pa këtë zanore, megjithëse pa këtë nuk qëndron dot. Fjala ritëm vjen nga italishtja ritmo, ku shihet qartë se në shqip është shtuar zanorja -ë-, meqenëse është e domosdoshme. Pra, nuk jemi përpjekur vetëm për ta reduktuar zanoren -ë-, atje ku nuk është e nevojshme, por edhe për ta shtuar atë kur është e domosdoshme dhe kryen një funksion të caktuar.
Ka edhe raste të tjera ku zanorja -ë- as nuk bie, as nuk shtohet por ndërron vendin e saj brenda fjalës. Kështu ndodh me mbiemrat me -të dhe me -ët. Është e njëjta prapashtesë, mirëpo disa fjalë dalin me njërën e disa me tjetrën formë. Kështu për shembull, nga emri dushk është formuar mbiemri i dushktë, kurse nga emri myshk formohet mbiemri i myshkët. Janë fjalë me të njëjtën paraqitje fonetike dhe me të njëjtën prapashtesë, ndaj duhet unifikuar shkrimi i tyre. Në këtë rast zanorja as nuk bie, as nuk shtohet, por shkon në vendin e vet duke u shkruar prapashtesa me të njëjtën mënyrë, pra, duke formuar një rregull të caktuar për drejtshkrimin e tyre. Po të shkruajmë, nga njëra anë i dushktë dhe, nga ana tjetër i myshkët, si mund t'ia argumentojmë studentit këto mënyra të ndryshme të shkruari? Po përmend një rast tjetër. Emri yndyrë formon me prapashtesën -të mbiemrin i yndyrtë, ndërsa emri lyrë formon mbiemrin i lyrtë, që sipas rregullave të drejtshkrimit duhet të shkruar i lyrët. Edhe në këtë rast, është e nevojshme të njësohet rregulla për të dy këta mbiemra, që kanë formë fonetike të njëjtë. Kështu formulojmë një rregull dhe shmangim përjashtimet.
Po marrim edhe një shembull nga formimi i shumësit. Emri dru ka shumësin drunj, emri hu ka shumësin hunj, ndërsa emri gju ka shumësin gjunjë. Këta emra kanë një trajtë fonetike, prandaj edhe duhet të marrin një formant shumësi, si rrjedhim, edhe gju duhet ta bëjë shumësin gjunj. Kështu forcohet sistemi, mënjanohen përjashtimet dhe standardi përvetësohet më lehtë. Këtë porosi e ka dhënë edhe Kongresi i Drejtshkrimit që më 1972.
Domethënë, nuk është diksutuar që fjalë të tilla si nënë apo babë të shkruhen pa -ë?
Në asnjë mënyrë! As nuk janë prekur, as nuk janë diskutuar fare, as tek foljet janë, kanë, as tek emrat nënë apo babë. Është dashakeqësi kjo. Madje, as që kanë ndërmend të diskutohen, sepse ne nuk përpiqemi të ndryshojmë standardin për të krijuar një tjetër, por që këtë standard që kemi ta përmirësojmë. Rastet që unë solla nuk sjellin shkatërrimin e standardit, por përmirësimin e tij.
Nuk preken themelet e standardit me këto ndryshime?
Jo nuk preken. Standardi ka një bazë, ka një sistem. Synimet e Këshillit janë të tilla që ato fjalë që kanë dalë jashtë sistemit si përjashtime të hyjnë brenda sistemit, sigurisht duke ndjekur edhe prirjet e zhvillimit të shqipes. Nuk bëhet fjalë për të ndryshuar standardin, nuk bëhet fjalë për të krijuar një standard të ri, nuk bëhet fjalë që të ketë Kosova një standard e ne një tjetër. Jo! Kjo do të ishte gabimi më i madh. Më 1913 na ndanë si komb, e nëse sot trojet shqiptare janë përsëri të ndara, le të bashkohemi në gjuhën e përbashkët, në historinë, në kulturën, në shkollën etj. Ndërkaq, dialektet do të vijojnë jetën e tyre, si në çdo vend tjetër; por ato do të vijojnë ta pasurojnë standardin. Prandaj, edhe dialektet janë një pasuri e kombit tonë.
Mbledhja e Këshillit Ndërakademik është parë si një përpjekje për të rritur ndikimin e gegnishtes në standard. Çfarë ka të vërtetë këtu?
Të kërkosh të përmirësosh rregullat e drejtshkimit nuk do të thotë se kërkon të ndryshosh standardin. Ne punojmë me standardin duke e shikuar atë në sistemin e tij. Po ju jap prapë ndonjë shembull. Emri ministër me prapashtesën -or, bëhet ministror; kurse emri mjeshtër me të njëjtën prapashtesë shkruhet mjeshtëror. Po a nuk është e njëjta strukturë fjale? Pse të shkruhen ndryshe? Pra, duhen shkruar njëlloj, ashtu si ministor edhe mjeshtror. Ose nga kundër + -o del folja kundroj, që shkruhet pa zanoren -ë; kurse nga vëngër + -o shkruhet vëngëroj. Edhe këtu duhet unifikim, një rregull i vetëm. Le të marrim edhe rastin e prapashtesës -jan, që formon etnika. Nga njëra anë shkruhet Mat - matjan, Lezhë - lezhjan, Lumë - lumjan sipas drejtshkrimit, kurse nga ana tjetër shkruhet: Kukës - kuksian, Laç - laçian, Lumalas - lumalasian. Përse këto dy mënyra të shkruari? Prapashtesa është e njëjtë dhe s'ka arsye që ajo të shkruhet me dy forma të ndryshme. Forma e parë është e rregullt, ndërsa e dyta duhet bërë si e para, pra, prapashtesa të jetë -jan kudo dhe të mos shkruhet me i. Duke përgjithësuar rregullat e duke shmangur përjashtimet, standardi nuk prishet por fuqizohet, përmirësohet e bëhet më praktik. Kjo duhet thënë edhe për shumësin e disa emrave që Kongresi i ka lënë me forma të dyfishta që ishin në përdorim për të atë kohë dhe Kongresi nuk e vendosi se cila do të ishte normative. Kështu për shembull nip - nipër dhe nipa; princ - princa dhe princër; hamall - hamej dhe hamaj, çakall - çakej dhe çakaj; xham - xhama dhe xhame; çengel - çengela dhe çengelë; grusht - grushta dhe grushte; pus - pusa dhe puse; lojë -lojëra dhe lojna etj.; te ndajfoljet doras -dorazi; praptas - praptazi; te foljet mas dhe mat; paraqis dhe paraqit etj. Pra, janë disa forma, që kanë edhe prejardhje dialektore, të cilat Kongresi i la kështu pa zgjedhur njërën prej tyre, me qëllim që në të ardhmen vetë koha do të tregojë se cila do të kthehet në formë normative. Tani pas 40 vitesh ka ardhur koha që të zgjidhet njëra trajtë e shumësit për të qenë normative e tjetra të mbetet dialektore.
Le të marrim emrin Evropë, që sipas drejtshkrimit duhet të shkruhet me -v-, por sot ka ndryshuar diçka, sepse ka edhe euro e ne nuk mund t'i themi evro, ka Eurovizion e ne nuk mund t'i themi Evrovizion, sepse tingëllon keq, krijon kakofoni. Atëherë përse emrin Evropë të mos e bëjmë Europë?
Kemi emrat e festave fetare për të cilat, në kohën kur u hartuan rregullat e drejtshkrimit, për shkak të politizimit të skajm, u vendos të shkruheshin me të vogël, ndryshe nga festat e tjera, ndërsa sot ne nuk mund ta tolerojmë këtë.
Deri tani, Këshilli Ndërakademik vetëm ka diskutuar dhe nuk ka marrë vendime. Në fakt, a ka tagër që të dalë ky Këshill mbi Kongresin dhe të ndryshojë rregullat e këtij të fundit?
Këshilli Ndërakademik nuk ka tagër që të ndryshojë atë që është vendosur në një kongres, por është një këshill që studion, hulumton dhe propozon ndryshimet që mund t'i bëhen drejtshkrimit. Më vonë do të studiohen mënyrat se si mund të kthehen në rregulla ndryshimet e propozuara.
Cili do ta ketë tagrin?
Nuk mund ta them sepse nuk është diskutuar kjo. Ne si akademikë studiojmë e hulumtojmë.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›