E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Popa: Zhoao Amazona e qau Enverin për së gjalli

Ishte fundi i vitit 1984 dhe fillimi i vitit 1985. Enver Hoxha kalonte periudhën e fundit të jetës së vet. Në atë kohë bëhej një punë e madhe nga gjithë stafi i afërt që e rrethonte, për ta shkëputur maksimalisht nga jeta publike. Situata politike e vendit pothuajse kishte kaluar në dorë të Ramiz Alisë, i cili sigurisht, fliste në emër të Enver Hoxhës, aq sa çdo direktivë dhe udhëzim që dilte për zbatim, - karakteristikë kjo e shteteve totalitare, - jepej me firmën e tij. Kushdo kujdesej maksimalisht që të mos mësohej sëmundja e udhëheqësit. Kushdo ishte i interesuar ta paraqiste situatën sa më entuziaste. Kjo ishte pak a shumë situata e krijuar në qarqet më të afërta dhe konfidenciale të Enver Hoxhës. Saktësisht, ai kishte humbur shikimin dhe kishte pësuar një paralizë të përgjithshme, duke përfunduar në një karrocë me rrota. Veç kësaj, trupi i drobitur dhe artikulimi i vështirë i fjalive bënin që ai të paraqitej me një gjendje fizike jo vetëm alarmante, por edhe shumë të frikshme. Ishte kjo situatë fizike që e kishte shkëputur liderin e shtetit komunist tërësisht nga jeta aktive dhe nga kontaktet e mëparshme me njerëzit e zakonshëm dhe kuadrot e veçantë. Këtë situatë arritën ta ndjenin edhe përfaqësuesit e Partive Marksiste-Leniniste, të cilët ishin parë rregullisht në tribunat e kongreseve dhe ato të manifestimeve në krah të Enver Hoxhës. Madje, historikisht, gjatë sundimit të pushtetit të Enver Hoxhës ata kishin qenë të preferuarit personalë të tij, aq sa ardhja dhe largimi i tyre nga vendi ynë nuk harrohej të bëhej me bujë dhe publicitet të veçantë. Ndërsa, në momentet që po flasim atyre tashmë u ishte refuzuar kontakti me Enver Hoxhën, pavarësisht kërkesave të panumërta që bënin për një takim qoftë dhe tepër të shkurtër. Ishin dhjetëra delegacione që vinin nga jashtë, dhe kryesisht liderë partish, të cilëve po iu refuzohej një takim i tillë. Kjo sigurisht nuk i linte pa dyshimin se diçka po ndodhte me të dhe tërhiqeshin nga insistimi për ta takuar. Por një gjë të tillë nuk e ka bërë lideri i Partisë Komuniste të Brazilit, Zhoao Amazona, i cili njihej si një mik dhe mbështetës personal i Enver Hoxhës. Kërkesës së Amazonës nuk mundi t'i rezistonte dot as Enver Hoxha, me gjendjen që e shikonte si e kishte, dhe as ai nuk u tërhoq nga insistimi i tij. Kështu, në ato ditë është bërë një takim i tyre, që u përjetua me emocione të forta. Pikërisht për atë takim flet, në vijim të intervistës së tij, vetë shefi i sektorit të Partive Marksiste-leniniste në Komitetin Qendror të Partisë së Punës, zoti Agim Popa. Në këtë intervistë të tij, zoti Popa, që ishte prezent në takimin e Zhoao Amazonës dhe Enver Hoxhës, - madje ai ka qenë takimi i tij i fundit me njeriun që kishte simpatizuar qysh prej kohës së luftës, - tregon me hollësi gjendjen aq shumë të përfolur shëndetësore të Enver Hoxhës, në ato ditë. Por Agim Popa tregon gjithashtu edhe atë që ndodhte rreth Enver Hoxhës, në ato ditë tragjike për jetën e tij, që po fikej çdo ditë.

(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Popa. Me sa di, në vitet e fundit të jetës, Enver Hoxha pothuajse i ka prerë fare kontaktet me personalitetet apo komunistët e ardhur nga vende të ndryshme të botës, të quajtur "Miq të Shqipërisë". Kjo, për faktin se ai ruhej në lidhje me deformimet apo problemet fizike që i ishin shfaqur, për shkak të sëmundjes së tij të gjatë dhe situatës së rënduar që po përballonte. Pra, nuk lejohej të cenohej imazhi i tij prej njeriu të fortë. Por, nga ana tjetër, është pranuar apo si të thuash është mësuar se është bërë një takim i atyre ditëve me kryetarin e Partisë Komuniste të Brazilit, Zhoao Amazonën, kur Enveri ishte pikërisht në situatën më të rënduar. Ju, jeni në dijeni dhe si ka ndodhur saktësisht?
Po, është e vërtetë se Enver Hoxha është takuar me njeriun e shquar të asaj periudhe, i cili kishte bërë emër në krye të Partisë Marksiste-Leniniste të Brazilit dhe se njihej si një mik i sinqertë i Shqipërisë dhe i vetë Enver Hoxhës. E vërteta është se Enver Hoxha e kishte dashur dhe respektuar shumë atë person, sepse mendoj se e kishte vërtetuar absolutisht se ishte dashamirës i sinqertë dhe kishte titullin e madh "Mik i vendit tonë". Tani, se si ishte fjala që Zhoao e takoi Enver Hoxhën në ato ditë të vështira, unë nuk di të them më shumë, por ishte një takim që mua më ka befasuar, jo vetëm për gjendjen skandaloze të shëndetit të Enver Hoxhës në të cilën u lejua të bëhej takimi, por edhe për situatën që u krijua te Zhoaoja, kur pa një gjendje të tillë të Enverit.
Përse thoni shprehjen "se si ishte fjala që u bë ai takim unë nuk e di, por di që u takuan në atë gjendje"?
Këtë e them për faktin se nuk jam i saktë, madje nuk kam fare dijeni se kush e ka kërkuar takimin. Mund ta kishte kërkuar Zhoao, dhe Enver Hoxha, kur ka mësuar këtë gjë nuk mund t'ia refuzonte, - sido që ishte rënduar, - për faktin se Zhoaoja e ka dashur shumë, madje prej vitesh e kishte shumë dobësi si person, pasi e vlerësonte për karakter dhe besnikëri. Këtë gjë e shfaqi edhe në ato çaste dramatike kur e gjeti Enver Hoxhën në gjendje të paimagjinueshme, aq sa nuk belbëzonte dhe nuk çohej dot në këmbë. Por nuk përjashtohet edhe mundësia që atë ta ketë kërkuar vetë Enver Hoxha në takim, kur ka mësuar nga këshilltarët e afërt se ai kishte ditë që kishte mbërritur për një vizitë disaditore në Tiranë, gjë që e bënte shpesh.
Për çfarë periudhe bëhet fjalë, profesor Popa?
Bëhet fjalë për janarin apo shkurtin e vitit 1985, kur vetëm pas pak muajsh Enver Hoxha vdiq. Pra, sipas këtyre llogarive, i bie që ai takim të mund të jetë bërë aty nga muaji janar apo shkurt i vitit 1985, por nuk e përjashtoj mundësinë të ketë qenë edhe dhjetori i 1984-ës, për faktin se Enveri ishte tmerrësisht i rënduar. Këtë periudhë e llogaris, se ai që disa muaj para vdekjes ka qenë jashtëzakonisht i rënduar. Ne dimë që ai vdiq në 11 prill 1985, prandaj unë ju përcaktova muajt e mësipërm si mundësi e atij takimi të veçantë dhe tepër të sforcuar. U ndala pak më shumë në këtë detaj, që ju të kuptoni më qartë gjendjen shëndetësore të Enver Hoxhës në momentin që e takoi Amazona, që do të thotë se ishte në prag të vdekjes.
Kush ka qenë tjetër i pranishëm në atë takim?
Ka qenë Ramiz Alia dhe unë, që shoqëroja Amazonën.
Pra, ju keni qenë prezent në atë takim, që do të thotë se ju keni kontaktuar me Enver Hoxhën pak para se të ndërronte jetë?
Po, kam qenë prezent dhe e kam takuar. Edhe për mua, ai ishte takimi i fundit fizik që bëra me të.
Çfarë situate fizike konstatuat me shikim të parë, apo me sy të lirë si i thonë fjalës, kur flisni me kaq insistim për një gjendje tepër të rënduar, madje gati sa s'thoni, një fizik tërësisht i shkatërruar.
Situata e Enver Hoxhës ishte shumë e vështirë dhe biseda e tij bëhej me një sforcim të jashtëzakonshëm. Me zor fliste, sikur belbëzonte, dhe me vështirësi artikulonte fjalët dhe aq më shumë shprehjet, që me zor i nxirrte, aq sa i thoshte pjesë-pjesë.
Ku ishte vendosur Enveri?
Para se të shkonim neve ishte vendosur në një kolltuk. Kur shkuam ai nuk u çua në këmbë dhe as tentoi, se dihej që nuk çohej dot.
Për çfarë u bisedua kryesisht?
U bisedua më shumë për gjendjen e Brazilit. Ai e pyeti Amazonën për situatën në partinë e tyre. Për rolin dhe të rejat e fundit në marrëdhëniet e saj të jashtme. Për ecjen që kishte bërë Shqipëria. I foli për arritjet në fusha të ndryshme, për unitetin, etj etj. Dhe mua nuk është se më kujtohen shumë saktë këto tema për të cilat u bisedua, sepse ai ishte vetëm një takim disi informativ.
Meqenëse ju keni kontaktuar me Enver Hoxhën në ato momente, jam shumë kurioz të di zoti Popa, një gjë për të cilën flitet shumë. Ishte në rregull ai nga ana logjike?
Nga ana logjike akoma mbahej. Në një farë mënyre... Por i dukshëm ishte rrënimi në mënyrën e të folurit dhe në gjendjen e përgjithshme shëndetësore, që vinte duke u keqësuar.
Sa kohë vijoi ajo bisedë?
Ka vazhduar rreth një orë. Amazona e pa vetë gjendjen e Enverit, që ishte më se e rënduar, dhe këtë e vinte re edhe gjatë bisedës, por që nuk mundej të ikte se s'kishte si e mbyllte atë takim, për faktin se ai e vlerësonte shumë dhe se ishte shumë i lidhur me të, kështu që rrinte i shokuar në kolltuk, duke e parë me vëmendje dhe jo pa dhimbje. Pasi u bisedua për aq kohë sa ishte menduar, kohë e cila ishte e kushtëzuar nga gjendja shëndetësore e vetë Enverit, ndërhyri Ramiz Alia, me shumë marifet dhe diplomaci të veçantë për të mbyllur takimin, pasi edhe takimi i gjatë e rëndonte më shumë situatën e Enverit.
Si e bëri ndërhyrjen Alia?
"Po të takohet shoku Enver me shokun Zhoao duhet një natë e tërë dhe nuk mbarojnë dot, se kanë kaq shumë për t'i thënë njëri-tjetrit, por ne kemi edhe angazhime të tjera dhe mendojmë që ta mbyllim këtu takimin", - tha Ramizi, ndërkohë që u çua në këmbë me një buzëqeshje të ëmbël, që ishte karakteristike e natyrës së tij të butë. Me çuarjen në këmbë dhe duke u afruar te Enveri për t'i dhënë dorën e largimit, Ramiz Alia linte të kuptoje me shumë marifet dhe delikatesë, se tashmë duhej të ndiqej nga Zhoao, i cili natyrisht bëri të njëjtën gjë. Por ai nuk vonoi dhe shpërtheu në lot.
Brenda, kur ishte akoma pranë Enverit?
Jo brenda, por sa dolëm në verandë për t'u larguar. Si u takuam me Enverin dhe dolëm nga holli qendror i shtëpisë së tij, kur lamë pas krahëve portën e madhe dhe u gjendëm në oborr apo verandë, se ishim akoma te shkallët, Zhoao u mbush në lot, aq sa s'e përmbante dot veten. I rridhnin çurk dhe pavarësisht se mundohej të mbante shami në fytyrë, dhembja dhe befasia e një situate të tillë, e njeriut që ai e donte me gjithë zemër, nuk e lejonin të përmbahej.
Çfarë tha?
Nuk tha ndonjë gjë, por ishte shumë i emocionuar. U prek shumë dhe nuk mundej të qetësohej. Në fytyrën e tij shikoheshin vetëm lot që rridhnin pareshtur.
Kë ka takuar tjetër Zhoaoja në ato ditë dhe ku ishte akomoduar? Nuk e di nëse po shprehem qartë. Pra, jam duke ju kërkuar diçka më shumë rreth vizitës së tij në ato ditë në Shqipërinë komuniste, kur lideri i shtetit që kishte qenë një mbështetje e fuqishme për vetë atë, pra Amazonën, ishte në ditët e fundit të jetës.
Zhoao, siç e thatë dhe juve, kishte një mbështetje të veçantë nga Enver Hoxha dhe ai e kishte justifikuar bashkëpunimin me të. Ato ditë që ai mbërriti në Shqipëri, ashtu siç ndodhte edhe në raste të tjera, ai u sistemua në një vilë të veçantë, që me sa mbaj mend ka qenë nga mbrapa Piramidës apo përballë hyrjes kryesore të televizionit "TOP CHANNEL"-it. Ajo ruhej me roje të palëvizshme, ashtu sikurse edhe në lëvizje ai shoqërohej nga eskorta e Gardës, që i ishte vënë në dispozicion sa kishte zbritur në Rinas.
Enveri, pas atij takimi, jetoi shumë pak?
Po. Për pak muaj ai ndërroi jetë.
Ju, keni pasur mundësi ta takoni herë tjetër kur ka qenë sëmurë, pra, e keni parë në situatë më të vështirë?
Mjeku kardiolog i tij ishte kushëriri im, Ylli Popa. Edhe vetë e kam ditur dhe konstatuar, por edhe ai ma ka saktësuar, se shpesh, kur ishte sëmurë Enveri apo kur keqësohej, pranë tij rrinte Nexhmija. Madje Ylli më ka treguar edhe një fakt shumë interesant, që ka të bëjë direkt me Ramiz Alinë. Është një fakt shumë i çuditshëm, që ka ndodhur pikërisht në atë periudhë kur Enveri dihej që do të vdiste, apo më mirë ta themi, kur rreth tij e panë se jeta po i shuhej dhe se shumë shpejt do t'i pushonte zemra.
Po, çfarë fakti është ky?
Siç ju thashë, Ylli, ishte mjek i zemrës, apo kardiolog siç quhet, Isuf Kalo ishte për diabetin, etj. Por e kam me këta të dy historinë. Ylli Popa më tregon se në një moment këta sollën një ilaç për t'ia dhënë Enverit sipas recetës dhe analizave që i kishin bërë. Në atë çast aty ndodhej edhe Ramiz Alia. Por ilaçi s'kishte as etiketë, as datë, asgjë. Ishte një ilaç i sjellë nga Franca. Ata e sollën ilaçin dhe e vendosën mbi tavolinë për ta marrë Nexhmija, e cila do t'ia jepte Enverit. Mirëpo, për fat, në atë çast Nexhmija u largua disi nga salloni ku rrinin. Ramiz Alia, pas kësaj iu drejtua të dyve me një ton sa dashamirës aq dhe urdhëror, duke iu thënë:
- Fshiheni atë ilaç. Mos e nxirrni, se ai në atë rrugë që është nisur nuk e ka të gjatë. Kështu që mund të dalin probleme serioze që "jo, ja shkaktoi vdekjen ilaçi, se ai ishte i dyshimtë" e ku di unë çfarë. Prandaj, një ilaç të tillë pa matrikullin nuk është mirë t'ia jepni Nexhmijes.
Pra, ai në këtë rast po i shpëtonte nga Nexhmija?
Po, dhe bëri mirë. Në atë çast i ranë mendjes ata. Sepse Enveri ishte në periudhën e fundit të jetës. Do të vinte momenti që do të vdiste dhe mund të hapej një çështje hetimi, duke analizuar çdo detaj të veprimeve ndaj tij, kryesisht në periudhën e fundit. Kështu që pa diskutim, në një rast të tillë, nuk do të ngeleshin pa u vënë nën shënjestrën e Nexhmijes dhe mund të akuzoheshin se ishte pikërisht ai ilaç që ia kishte shkaktuar vdekjen. "Pse ai ishte pa etiketë dhe pa matrikullin"? Këta e hoqën menjëherë, por në sajë të ndihmës dashamirëse të vetë Ramizit. Ramizi ka pasur një sens shumë pozitiv ndaj njerëzve që ishin rreth tij. Ashtu bënë. Sa erdhi Nexhmija e hoqën menjëherë.
Kur ishte Nexhmija, nuk guxonin të flisnin?
As që bëhej fjalë. Por edhe ata nuk është se ishin kundër apo kishin ndonjë hile në këtë mes, por u ruheshin shumë keqkuptimeve dhe Ramizi i ndihmoi që t'i pritej rruga një dyshimi të mundshëm në të ardhmen, që mund të ishte me pasoja ndoshta shumë të mëdha.
Juve mësonit dhe nga vëllai juaj kuriozitete rreth shërbimit mjekësor që i bëhej Enverit, apo jo?
Patjetër. Ka pasur shumë kuriozitete dhe madje në shumë raste, histori shumë të bukura, por ato do të ishte më mirë t'i tregonte im vëlla, për të cilin më erdhi mirë kur mësova se keni dëshirë ta takoni dhe se keni qëllim që t'i bëni një intervistë rreth jetës së tij në shërbim të Enver Hoxhës.
E di që janë shumë momente dhe detaje interesante rreth shërbimit apo funksionimit të shërbimit të Enver Hoxhës, por unë do të doja të na tregonit qoftë dhe diçka të vogël, madje edhe ndonjë episod, - meqenëse jemi në këtë pikë kontakti, - nga sa ju ka treguar vëllai juaj. Çfarë mbani mend?
Do t'ju them një ndodhi të doktor Fejzi Hoxhës, i cili, siç duhet të jesh në dijeni, ka qenë po ashtu mjek i Enverit, madje ai ia ka konstatuar fillimisht që vuante nga diabeti. Mjekët kishin gjetur belanë se, herë e gjenin në humor dhe herë jo. Por para se t'i jepnin mjekimin duhet ta sillnin në humor fillimisht.
Në një rast, - tregon ai, - kishim bërë një plan me Isuf Kalon se si ta sillnim në humor. Dhe e hapi muhabetin Isufi dhe i tha:
- Ky, profesor Hoxha, i bie shumë në qafë Yllit.
- Pse, çfarë i tha?, - ia ktheu Enveri.
- Po ja. Një ditë i tha që 'ti je aq i vogël, sa po të dua të fus në xhepin e vogël të xhaketës', - ia ktheu Isufi.
Atëherë Enveri iu kthye Yllit, që është vërtet i shkurtër:
- Po ti, çfarë i the?
- Unë i thashë, - u përgjigj Ylli, - që po ta bësh këtë, të siguroj që do të kesh më shumë mend në xhepin e xhaketës se në kokë.
Pas këtyre fjalëve, Enveri shpërtheu në një të qeshur të fortë dhe kjo e ktheu në një humor të përshtatshëm që të mund ta mjekonin pas kësaj.
(Vijon nesër)

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›