E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji Zgjedhor do të ketë objekt hetimi ligjor rezultatin

14/07/2009  PD reagon pas shpalljes përfundimtare të ndarjes së mandateve për Qarkun e Fierit

Partia Demokratike shprehet se do të ankimojë në Kolegjin Zgjedhor rezultatin e dalë nga numërimi i kutive të votimit të disa qendrave të Qarkut të Fierit gjatë ditëve të fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Zyrtarisht PD-ja është shprehur ditën e djeshme se do t’i kërkojë institucionit të Kolegjit Zgjedhor të hetojë dhe të shqyrtojë votat e këtyre kutive të disa qendrave të votimit në Fier. Zëdhënësja e Partisë Demokratike Erla Mëhilli ka bërë të qartë vendimin e forcës politike që përfaqëson, pavarësisht nga rezultati i shpallur. “Natyrisht, mandati i Fierit, të cilin PS-ja ia merr PDI-së me 160 vota më shumë, pavarësisht nga rezultati i shpallur, do të jetë objekt i një hetimi ligjor nga Kolegji Zgjedhor”, - ka deklaruar ajo menjëherë pasi KQZ-ja miratoi tabelat përfundimtare të votave, nga të cilat rezultuan se Partia Socialiste në Qarkun e Fierit fitoi 9 mandate deputetësh, Partia Demokratike fitoi 6 mandate dhe Lëvizja Socialiste për Integrim fitoi një mandat. Në deklaratën e saj zëdhënësja e PD-së dënoi edhe presionet e mëdha, sipas saj, të kreut të PS-së Edi Rama. Mëhilli tha se Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe presionin e Edi Ramës, humbësit të këtyre zgjedhjeve, i vetmi politikan që këndon në humbje, i cili çdo ditë me presione dhe kërcënime përpiqet të maskojë përgjegjësinë e tij për humbjet e zgjedhjeve. “PD-ja i bën edhe një herë thirrje zotit Rama të heqë dorë nga presionet dhe kërcënimet ndaj institucioneve vendimmarrëse për procesin zgjedhor. Të vërë në zbatim politikën e tij të re për të pranuar me dinjitet dhe mendje të hapur humbjen”, - ka deklaruar përcjellësja e qëndrimit zyrtar të selisë blu. Në këtë dalje publike zëdhënësja e PD-së ritheksoi qëndrimin e partisë së saj për njohjen e çdo rezultati të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit që do të dalë nga institucioni përgjegjës i organizimit, mbikëqyrjes dhe funksionimit të procesit zgjedhor. “PD-ja është e vendosur të pranojë çdo rezultat që del nga KQZ-ja”, - ka deklaruar Mëhilli. Denoncimi i demokratëve ndaj praktikës së presionit, që ata pretendojnë se ushtron kryesocialisti Rama, është përsëritur në disa dalje publike.

Denoncimi

Demokratët, të cilët tashmë janë të bindur në fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, kanë denoncuar shpeshherë kreun e PS-së Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë socialistë për presione ndaj KQZ-së. Në deklarata të ndryshme PD-ja ka kërkuar nga lidershipi i PS-së të heqë dorë nga presionet dhe kërcënimet e hapura dhe flagrante ndaj institucionit të KQZ-së dhe të pranojë humbjen dhe verdiktin e shqiptarëve.

Rezultati

Partia Demokratike ka deklaruar që në fillim se do të njohë çdo rezultat të zgjedhjeve që do të dalë i certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ka qenë vetë kryetari demokrat Sali Berisha ai që si para zhvillimit të zgjedhjeve, ashtu edhe pas tyre ka deklaruar hapur dhe prerë se do të njohë rezultatin. Madje, ka thënë se, nëse partia e tij do të dalë u humbur nga këto zgjedhje, do t’i telefonojë kreut të PS-së për t’i uruar fitoren.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›