E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekt gërmimi arkeologjik përreth “Rozafës”

27/05/2011  Synohet gjetja e gjurmëve arkeologjike të periudhës së Ilirisë

SHKODER- Zona arkeologjike përreth kalasë “Rozafa” është përfshirë në një projekt të rëndësishëm për zbulimin e vlerave të lashta që mbart ky territor i lashtë. Sipas drejtorit të Parkut Arkeologjik Shkodër, Nikolin Shati, projekti është një nisëm e Qendrës së Studimeve Antike për Evropën Juglindore në Universitetin e Varshavës, përfaqësuar nga profesor Piotr Dyzcek, e miratuar nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë së vendit tonë. Për zbatimin e këtij projekti që pritet të fillojë në ditët e para të muajit qershor do të punojnë ekspertë të huaj në fushën e arkeologjisë së bashku me specialistë të kësaj fushe të vendit tonë. Drejtori i Parkut Arkeologjik Shkodër, Nikolin Shati, sqaron se në bazë të kontratës së nënshkruar mes palëve implementimi i projektit shtrihet në një afat kohor prej 5 vitesh. Çdo vit do të zhvillohen nga gjashtë javë punime në territorin e parashikuar për vëzhgim e gërmim, duke synuar gjetjen e gjurmëve arkeologjike të periudhës së Ilirisë. Profesori i arkeologjisë Dyzcek ka hartuar projektin e tij, pikërisht nisur nga fakti se në këtë zonë tepër të lashtë, mbi 2500-vjeçare, nuk është bërë asnjëherë një studim e gërmim i duhur në terren për të arritur në zbulimin e arkeologjisë ilire. Sipas drejtorit Shati, faza e parë e projektit pritet të fillojë në fillim të muajit qershor të këtij viti. Kjo fazë përfshin fazën Syrvey të zonës së futur në projekt, meqë është një zonë kryesisht aluvionale, me mbushje të mëdha për shkak të lumenjve që ka përreth. Sipas të dhënave paraprake të projektit është parashikuar që fillimisht të bëhet një gërmim 2,5 deri në 3 metra thellësi, pasi mendohet se tabani arkeologjik, mbetjet arkeologjike do të gjenden në këtë thellësi. Faza e parë Syrvey do të përqendrohet kryesisht në zonën e quajtur tarrasë të qytetit antik, që fillon nga ura e re mbi lumin Buna,vijon më tej me pjesën e zonës tek restorant “Legjenda”, lidhet me urën e Bahçallekut nga ku do të përfshijë gjithë territorin deri tek Xhamia e Plumbit. Pas përfundimit të vëzhgimeve dhe testimit në terren, do të fillojë dhe faza e dytë që ka të bëjë me gërmimet arkeologjike. Kjo fazë e dytë është parashikuar të fillojë në muajin shtator të këtij viti. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›