E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dushet jashtë funksionit, ankohen pacientët

QSUT/ Dushet e shërbimit të kardiokirurgjisë në QSUT nuk funksionojnë prej muajsh. Pacientët: Nuk kemi ku të lahemi, është e tmerrshme


TIRANË - Sëmundje dhe pamundësi për të realizuar edhe nevojat më elementare. Ky është fati me të cilin ndeshen pacientët e qendrës më të madhe spitalore në vend. Në pavionin e Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", prej 4 muajsh nuk funksionojnë dushet. Këtë problem e ngrenë për gazetën vetë pacientët e këtij shërbimi, të cilët theksojnë se kjo situata është e patolerueshme.


Sipas tyre, po e përjetojnë shumë keq faktin që nuk mund të bëjnë dush në pavionin ku janë shtruar në këto temperatura të larta. Ndërkohë mësohet se edhe në pavione të tjera dushet nuk funksionojnë. Ndërsa drejtoresha e QSUT-së Kuli, e kontaktuar me telefon thotë se është hera e parë që dëgjon për këtë problem.


Pacientët


"Dushet nuk funksionojnë dhe nuk jemi larë asnjëherë në këtë pavion. Mendojeni vetë çfarë stresi është, që në këtë vapë të mos kemi mundësinë për t'u larë",- pohon pacienti i kardiokirurgjisë, Hekuran Hoxha, duke shtuar se ky problem është për të gjithë pacientët e këtij shërbimi. Ndërkohë ai pohon se është i shtruar prej 8 ditësh në këtë pavion dhe problemin kryesor e ka ndeshur me dushet.


"Unë u bëra operacion për zemrën dhe duhej të lahesha patjetër para operacionit. Iu luta një sanitareje të një pavioni tjetër që të lahesha atje, sepse nuk kisha zgjidhje tjetër.


Por mendoj se ky problem duhet të zgjidhet pasi ky pavion është i rëndësishëm për të gjithë njerëzit që bëhen operacion në zemër",- pohon Hekurani, i cili tregoi odisenë e mundimeve të tij për të siguruar një dush në spitalin më të madh dhe të specializuar të vendit. Ndërkohë edhe të tjerë tregojnë për këtë problem.


"Të vështirë e kemi, sepse vijmë nga rrethet dhe nuk kemi njerëz në Tiranë që të shkojmë dhe të bëjmë dush. Ne rrimë me javë të tëra këtu dhe mendojeni se sa e mundimshme është të rrish pa bërë dush në këto temperatura", - pohon Lazime Kaculi, e cila ka bashkëshortin të shtruar në këtë pavion prej disa javësh.


Personeli


Bluzat e bardha e pranojnë problemin e mosfunksionimit të dusheve, por e kanë të pamundur që ta zgjidhin ata këtë problem. "Nëse ankohen pacientët, të drejtë kanë, por duhet të dini se këto probleme nuk i zgjidhin mjekët. Ne jemi për të dhënë shërbimin shëndetësor, dhe jo për të rregulluar dushe.


Edhe ne shpresojmë që të rregullohen sa më shpejt dushet, pasi ky problem na shqetëson edhe ne", - pohojnë mjekët e kardiokirurgjisë duke shtuar se është për të ardhur keq që spitali më i madh i vendit vuan edhe për gjërat më elementare.



Kuli: "Është hera e parë që e dëgjoj këtë"


"Është hera e parë që e dëgjoj këtë problem. A ka mundësi të më thoni numrin e protokollit të shkresës me anë të së cilës jam vënë në dijeni...?"


Kjo ishte përgjigjja me mesazh e drejtoreshës së Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Gjeorgjina Kuli, pas pyetjes që i bëmë lidhur me mosfunksionimin e dusheve në pavionin e kardiokirurgjisë.


Ndonëse pacientët, por edhe personeli pohojnë se dushet e këtij pavioni nuk funksionojnë prej më shumë se 4 muajsh, drejtoresha Kuli shprehet se nuk ka dijeni.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›