Rrihet nga i shoqi, vdes 33-vjeçarja
Vdekja e Luljetës, tre fëmijë mbetën jetimë
Të tre fëmijët, edhe pse të ndodhur në banesë, kanë qenë në gjumë kur ndodhi vrasja dhe vetëm më vonë kanë kuptuar që nuk do ta kishin më nënën e tyre. Dy të mëdhenjtë, Anxhela dhe Gerondi, përkatësisht 13 dhe 12 vjeç, nuk u ka mbetur gjë tjetër veçse të qajnë për fatin e tyre të mëtejshëm, ndërsa djali i vogël është 8-muajsh.
Vajza e madhe e familjes Hodaj është marrë nga dy bashkëmoshatarët e saj në shtëpinë e tyre, ndërsa Geronti i kanë ardhur të gjithë shokët e tij të klasës për t'i qëndruar pranë.
Prindërit e viktimës kërkuan tërheqjen e trupit
Njerëzit e viktimës kanë mbërritur nga Sevasteri në orët e mëngjesit. Fillimisht ata kanë kërkuar që ta tërheqin trupin e vajzës nga fshati Armen për në fshatin e tyre. Mes të afërmve të tjerë kanë qenë dhe prindërit e saj, ku përmes kujës e ëma ka kërkuar me këmbëngule të marrë trupin e së bijës.
Ky ka qenë dhe shkak debatesh i mëpasmë ndërmjet dy palëve. "Pse duhet ta lë vajzën time këtu ku i morën jetën? Ai do të dalë nga burgu dhe do të marrë një tjetër, kurse unë me dorën time do t'ia bëj dhe atij siç ai bëri me vajzën time", -qenë fjalët e nënës së viktimës në dëshpërim. Gjithsesi, pasi kanë bërë debate, është pranuar që 33-vjeçarja të mbetej në fshatin ku ajo ishte martuar.
DHUNA/ Luljeta Hodaj ka ndërruar jetë për shkak të dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj 36-vjeçar
Sherri mes dy bashkëshortëve kishte nisur pas kthimit në orët e mëngjesit në shtëpi të kryefamiljarit
VLORË - Është mërzitur nga të ardhurit vonë të bashkëshortit të saj dhe ka vendosur që për këtë të diskutojë madje, por ka përfunduar e vdekur. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Armen, rreth 23 km larg Vlorës, ku Maksim Hodaj ka rrahur bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar asaj vdekjen për shkak të dhunës së ushtruar. Pasi ka parë të shoqen në atë gjendje, 36-vjeçari ka lajmëruar mjekun e më pas është arratisur.
Debati mes bashkëshortëve është zhvilluar në shtëpinë e tyre në orët e para të mëngjesit, ndërsa fëmijët e tyre ndodheshin në gjumë. Maksim Hodaj është shpallur në kërkim, teksa deri në orët e vona të mbrëmjes, ende policia vijonte negociatat për vetëdorëzimin e tij
Historia
Gjithçka është zbardhur dhe ka qenë e qartë vetëm në orët e para të mëngjesit. Pasi ka konsumuar një sasi alkooli, Maksim Hodaj, është kthyer në banesën e tij rreth orës 02:30. Kthimi në orët e vona i është vënë në dukje nga bashkëshortja e vet, Luljeta, e cila e priste në shtëpi. Por debatet mes çiftit janë acaruar, edhe pse kanë qenë orët e vona të natës.
Maksimi ka filluar të godasë të shoqen deri në momentin që e ka kapur prej flokësh dhe ia ka përplasur kokën në dysheme. Përplasja e fortë ka qenë fatale për gruan, e cila është goditur në pjesën ballore të kokës. Nga plaga e marrë ajo ka rënë pa ndjenja e më pas ka ndërruar jetë.
Duke parë bashkëshorten e tij në dysheme, 36-vjeçarit nuk i ka mbetur tjetër gjë veçse të marrë në telefon doktorin dhe më pas, nga frika e ndëshkimit, të largohet nga banesa. Për t'u arratisur Maksim Hodaj nuk ka përdorur asnjë nga automjetet e tij, por ka marrë aratinë në këmbë drejt maleve të fshatrave përreth.
Policia
Blutë kanë shkuar në vendngjarje qysh në orët e para të mëngjesit. Madje në skenën e krimit kanë qenë jo vetëm efektivët e grupit të gatshëm dhe ekspertët e kriminalistikës, por edhe drejtues të lartë të policisë së Vlorës, si nëndrejtori i qarkut, i cili është angazhuar drejtpërdrejt për kapjen e autorit të ngjarjes.
Deri në orët e vona kanë vijuar negociatat me autorin e ngjarjes për t'u vetëdorëzuar, megjithatë ai nuk ka pranuar. Burime nga policia pohojnë që çifti ka pasur dhe më parë grindje, pasi gruaja ka shfaqur dhe më parë pakënaqësi nga sjelljet e të shoqit për të cilin dyshonte se e tradhtonte.