E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji rrëzon ankesat për Tiranën e Shkodrën

Me vendimin e djeshëm, Kolegji Zgjedhor mbylli shqyrtimin e të gjitha ankimimeve të subjekteve politike në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve të 28 Qershorit


TIRANË- Kolegji Zgjedhor ka mbyllur dje me Tiranën dhe Shkodrën shqyrtimin e të gjitha ankimimeve të subjekteve politike në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve të 28 qershorit, megjithëse ligjërisht mbetet edhe sot e hapur mundësia për të paraqitur padi pranë tij.


Në dy seanca të njëpasnjëshme, thuajse formale, trupa gjykuese e Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit, ka rrëzuar të gjitha kërkesat, që forcat e ndryshme politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 28 qershorit kishin paraqitur për rezultatet në zonat zgjedhore të qarkut të Shkodrës dhe atë të Tiranës.


Shkodra


Në seancën e parë janë shqyrtuar kërkesat që tre subjektet zgjedhore, Partia Socialiste, Partia Demokristiane dhe Partia Demokratike kishin paraqitur lidhur me vendimet e marra prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbi tabelat e rezultateve për qarkun e Shkodrës.


Kështu, avokati Eridian Saliani ka mbrojtur interesat e Partisë Socialiste, duke parashtruar pretendimet e kësaj force përsa i përket procesit të votimit dhe numërimit të votave në katër ZAZ-të e këtij qarku dhe më konkretisht në ato me numër 40, 41, 42 dhe 44.


Ashtu si edhe në rastin e Beratit, edhe për Shkodrën, socialistët kanë kërkuar prej gjykatës konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit të KQZ-së për mosmarrjen parasysh të pretendimeve, që kjo forcë ka pasur për këtë qark.


Gjithashtu në vijim të kësaj pike të kërkesës, ata i kanë sugjeruar trupës gjykuese, që të detyrojë KQZ-në që të realizojë përmbushjen e urdhërimit ligjor për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave të kërkuara nga dy anëtarët e saj për të gjitha qendrat e votimit të ZAZ-ve të këtij qarku. Sipas tyre, në shumicën e rasteve numërimi i votave është bërë në kundërshtim me ligjin, çka ka sjellë që vota e socialistëve të mos lexohet drejt.


Për të vërtetuar këtë pretendim ata kanë sjellë në vëmendje faktin se në shumë kuti votimi rezultati ka qenë i atillë saqë rrit ndjeshëm dyshimet e saj për manipulime si gjatë votimit, ashtu edhe gjatë numërimit të votave. Sipas Salianit, nuk janë të pakta rastet kur votimi ka dalë 300 me 0 për PD-në, rezultate këto që janë thuajse të pamundura të ndodhin, nisur kjo edhe nga përvoja të mëparshme.


Ndërkohë, nga ana tjetër, kësaj kërkese i është bashkangjitur edhe PDK-ja, e cila si element të veçantë ka evidentuar faktin se kryesisht në KZAZ-të 40 dhe 42 që drejtoheshin nga demokratët atyre nuk i janë pranuar vëzhguesit, ç'ka ka bërë të pamundur, që kjo forcë të kontrollonte votën e saj. Për këtë arsye, por edhe për shumë pretendime të tjera të paprovuara me fakte, ajo ka kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në këtë qark.


Një kërkesë më të thjeshtë kanë pasur demokratët, të cilët kanë kërkuar përfshirjen në tabelën përmbledhëse të rezultateve vetëm votat e dala nga kutia 0342, nga ku rezultuan jo pak mangësi që kishin të bënin kryesisht me faktin se më shumë se 120 fletë votimi ishin me një vulë.


Ndërkohë që vetë KQZ-ja ka kundërshtuar kërkesat e PS-së dhe PDK-së si të pambështetura në ligj dhe fakte dhe për rrjedhojë i ka kërkuar Kolegjit që të mos i marrë parasysh pretendimet e tyre. Nga ana tjetër, ajo është shprehur pro kërkesës së PD-së për të përfshirë në tabelë rezultatin e dalë nga numërimi i kutisë 0342.


Ndërsa forcat politike, të paktën dy subjektet e mëdha, janë shprehur kundra kërkesave të njëra-tjetrës, duke argumentuar sipas mënyrës së tyre paligjshmërinë e tyre. Në seancën e dytë, Kolegji ka marrë në shqyrtim kërkesë-paditë e bëra nga PS-ja dhe LZHK-ja, të cilat kontestonin vendimin e KQZ-së për një sërë KZAZ-sh, si jo reale dhe të manipuluara.


PS-ja kërkonte rinumërim dhe rivlerësim të votave në rreth 75 QV të shpërndara këto në 6 KZAZ, 55, 56, 57, 58, 59 dhe 60. Ndërsa LZHK-ja me pretendimet se nuk ka pasur vëzhgues ka deklaruar se rezultati në KZAZ-të, 45, 46, 47, 48, 49, 50, 51, 52, 53, 54 dhe 59 është i tjetërsuar në disfavor të kësaj force. Për këtë arsye, ajo ka kërkuar rivlerësim dhe rinumërim të votave në këto ZAZ.


Vendimi


Pavarësisht pretendimeve të palëve, Kolegji ashtu si edhe në ditët e shkuara ka vendosur të penalizojë të gjitha dhe të mos i bëjë "qejfin" asnjërës. Në më pak se 30 minuta kohë për secilën, Kolegji se ka pasur të vështirë të dalë me vendimin për të rrëzuar kërkesat subjekteve politike si të pambështetura në ligj dhe në fakte.


Në këtë mënyrë, Kolegji i ka dhënë fund edhe procesit zgjedhor për këto dy qarqe, duke i hapur rrugë tashmë KQZ-së që të miratojë dhe shpërndajë mandatet për deputetët fitues. Në zonën zgjedhore të Shkodrës, PD-ja arriti të marrë 7 mandate dhe PS-ja 4, ndërsa në Tiranë, PD-ja 15, PS 15, PR 1 dhe LSI 1.


Megjithëse mbyllja e këtyre dy seancave shënon dhe fundin e ankesave të bëra nga subjektet politike, ligjërisht ekziston mundësia që edhe gjatë ditës së sotme të bëhen ankimime për vendimin e KQZ-së për mosshpalljen të pavlefshme të votimit në 4 qendra votimi në Fier, sipas kërkesës së bërë më parë nga PDI-ja.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›