Kolegji turk, maturantët e 10 viteve festojnë së bashku
04/06/2005 Maturantët e diplomuar gjatë këtyre 10 viteve në kolegjet turke, u mblodhën dje së bashku. Aktualisht, në Shqipëri funksionojnë 12 institucione të Fondacionit Arsimor "Gulistan" si; kopshte, shkolla fillore, 9-vjeçare dhe të mesme, të cilat frekuentohen nga 2364 nxënës nga qytete të ndryshme. Me 200 nxënësit që u diplomuan sivjet, në vitin e dhjetë të diplomimit, numri i të diplomuarve arriti në 1380. Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë ministri i Arsimit, Luan Memushi, historiani dhe deputeti në parlamentin e Turqisë prof.dr.Nevzat Yalçintash, intelektualë nga Shqipëria, anëtarë të Drejtorisë së Arsimit të qytetit të Stambollit si dhe nxënësit së bashku me familjet e 2364 nxënësve, që momentalisht frekuentojnë kolegjet turke. Nxënësit paraqitën një program të pasur kulturor dhe artistik, ku shpalosën vlerat e kulturave turke dhe shqiptare. Drejtorët e shkollave të kolegjeve turke, shpërblyen me dhurata të ndryshme nxënësit e dalluar në mësime dhe gjithashtu në disiplinë. Nga Fondacioni "Gulistan" u shpërblyen me dhurata edhe nxënësit nga shkolla turke "Turgut Ozal", fitues në olimpiadën ballkanike të matematikës, e cila u zhvillua në Rumani, si Gjergji Zaimi, që kishte marrë medalje argjendi dhe Keler Marku medalje bronxi.