Trafikonin vepra arti të vjedhura, pesë në pranga
Policia e Elbasanit ka arrestuar pesë trafikantët teksa po shkonin drejt Maqedonisë ku do shisnin materialet e vjedhura
ELBASAN- Pesë persona kanë rënë në prangat e policisë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme objektesh me vlerë në kisha duke tentuar t'i shisnin ato në Maqedoni për 20 mijë Euro.
Operacioni i koduar "Dera e Mbyllur" është finalizuar mëngjesin e djeshëm kur personat e arrestuar po tentonin të kalonin në Maqedoni ku edhe do të kryenin shitjen e objekteve.
Të arrestuarit janë Ilir Kera, 36 vjeç, Reshit Hyseni 29 vjeç, Nebi Guracaku 49 vjeç, Gramoz Porshja 34 vjeç dhe Armand Meta 26 vjeç, që të gjithë me banim në Elbasan.
Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në momentin e arrestimit të pesë personave, është bërë e mundur gjetja në mjetet e tyre dhe sekuestrimi i një sasie objektesh me vlera kulturore, religjioze dhe monetare, të vjedhura në disa kisha e manastire.
Kështu mësohet se në mjete është gjetur një kambanë me peshë 50 kg e gdhendur në material bronzi, e cila mendohet se i përket viteve 1700.
Tre piktura në material bakri të përmasave të ndryshme që mendohet se i përkasin shekullit 18-19, një ikonë kishe si dhe sende e objekte antike të ndryshme të gdhendura në serm, monedha të vjetra që mendohen me shumë vlerë dhe se po punohet për zbardhjen e prejardhjes së tyre.
Policia deklaron se është ndërhyrë në momentin kur shtetasit po përpiqeshin t'i trafikonin drejt Maqedonisë.
Ata ishin vënë prej kohësh në ndjekje dhe madje edhe përgjuar deri në përfundimin me sukses të operacionit. Në bazë të të dhënave të policisë, pesë të arrestuarit po përpiqeshin t'i shisnin materialet e mësipërme me një vlerë rreth 20 mijë Euro.
Policia deklaron ekzistencën e provave të mjaftueshme që i implikon pesë personat e akuzuar për trafik të objekteve artistike me vlera kombëtare. Gjithashtu si prova që implikojnë pesë të arrestuarit janë edhe gjithçka e sekuestruar si dhe mjetet e tyre. Kështu janë sekuestruar 128 mijë lekë, 300 Euro, 2 armë gjahu teke pa leje, dy automjete tip benz me targa "EL 3593 C" dhe "EL 9811 B" si dhe pesë aparate celularë.
Mësohet se hetimet për zbulimin e autorëve të disa vjedhjeve në kisha e manastire kanë çuar agjentët e Drejtorisë kundër krimit të Organizuar tek ky rrjet trafiku të veprave të artit.
Mësohet se ata janë ndjekur, përgjuar si dhe janë dokumentuar prova që vërtetojnë përfshirjen e tyre në këtë vepër penale. Pesë të arrestuarit do të përballen me veprën trafik të veprave të artit dhe të kulturës e kryer në bashkëpunim. Tashmë dosja në ngarkim të tyre i ka kaluar prokurorisë.
Drejtori i policisë, Sajmir Muça, tha se goditja e grupeve kriminale të përfshira në trafikimin e veprave të artit dhe të kulturës pjesë e trashëgimisë tonë kulturore është në vijim dhe të Planit Kombëtar të Veprimit "Për parandalimin dhe luftën kundër veprave të artit dhe të Kulturës". Bardha Nergjoni