E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolin Pouell mbështet kandidatin Obama

Autori i Lajmit: red.
Ish-sekretari Amerikan i Shtetit, Kolin Pouell, ka mbështetur kandidatin demokrat për president, Barak Obama. Në programin e kanalit televiziv NBC, Meet the Press (takim me shtypin) Pouell e përshkroi senatorin Obama si një figurë transformuese. Ai tha se si Xhon Mekejni ashtu edhe Barak Obama ishin të kualifikuar për të drejtuar vendin, por Obama ishte më i përgatitur për të përballuar krizën ekonomike aktuale. Ai gjithashtu kritikoi Partinë e tij Republikane, duke thënë se fushata ka qenë negative, ndërsa shtoi se zgjedhja e Mekejnit, Sarah Palin, nuk ishte gati të bëhej presidente. Pouell ka qenë sekretar Shteti në mandatin e parë të presidentit Bush. Ai ka qenë në poste të larta në administratën republikane të presidentëve Ronald Reagan dhe Xhorxh Bush, i vjetri. Në fushatën e tij kandidati demokrat Barak Obama ka arritur të sigurojë një shumë rekord financimesh për muajin shtator prej 150 milionë dollarësh, që e bën totalin e financimeve në 605 milionë dollarë. Obama nuk pranoi të merrte financime publike për fushatë ndryshe nga rivali i tij, Xhon Mekejn. Ai është i pari kandidati që nuk merr financime publike që kur sistemi u vendos në mesin e viteve 1970. Kjo bën që kandidati demokrat të mos ketë kufizime për sa u takon shpenzimeve për fushatën.
Ky lajm është publikuar: 21/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›