E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të zbardhen financimet e partive”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Informaliteti, mungesa e transparencës dhe e kuadrit ligjor, mungesa e kapaciteteve dhe mekanizmave të kontrollit në financimet, kryesisht nga bizneset dhe subjektet private në favor të partive politike, kanë krijuar një terren të përshtatshëm për një nivel të lartë të korrupsionit politik”

Partitë politike shqiptare vazhdojnë të shkelin Kushtetutën. Ky përfundim është nxjerrë dje nga raporti më i fundit i Transparency Internacional Albania i njohur si Barometri Global i Korrupsionit. Në raportin e saj theksohet se partitë vazhdojnë të shkelin detyrimin e tyre kushtetues për të bërë publike financimet e tyre. Kliton Zguri, anëtar i bordit të TIA-s, i cili bëri publik raportin, pohoi se pikërisht kjo mungesë transparence e partive politike bëhet shkak për korrupsion. Sipas raportit, sponsorët e partive në Shqipëri kanë influencë të madhe në vendimmarrje. Në raport thuhet gjithashtu se mungon një kuadër i veçantë ligjor për këtë çështje. Sipas Zgurit, nenet përkatëse të përfshira në Kodin e ri Zgjedhor jo vetëm që janë të vonuara, por nuk garantojnë plotësimin e detyrimeve kushtetuese.
Raporti
“Mungesa e vullnetit politik imponon mungesën e mekanizmave, kapaciteteve, instrumenteve dhe institucioneve, të cilat duhet të garantonin transparencën e procesit të financimeve të partive politike”, - thuhet në Barometrin Global të Korrupsionit të publikuar nga TIA. Në raportin e këtij organizmi ndërkombëtar theksohet gjithashtu se financimet nga subjektet private, donacionet, dhuratat apo ndihmat që japin shoqëritë tregtare, në favor të partive politike, mbeten ende një privilegj jashtë çdo kontrolli fiskal dhe ligjor. Zguri theksoi se vetë partitë politike nuk kanë bërë ende asnjë përpjekje, për të ngritur kapacitete dhe për të shmangur vakuumin në struktura me qëllim auditimin e brendshëm të financave dhe kjo gjë vihet re pothuaj në të gjitha partitë politike në vend. TIA vazhdon të konsiderojë mungesën e transparencës në raportimin e aktivitetit ekonomik të partive politike, si një veprimtari informale dhe një nga komponentët e një procesi të dështuar politik për të formalizuar ekonominë në vend. Në raport theksohet gjithashtu se shoqëritë tregtare, që janë financueset më të mëdha, nuk janë të interesuara të formalizojnë këto marrëdhënie dhe donacionet e tyre, pasi në thelb kanë interesa të ngushta për të përfituar në proceset e prokurimeve, privatizimeve, sipërmarrjeve publike etj. Në raport shtohet se këta donatorë kthehen kështu jo vetëm në partnerë në abuzimin me pushtetin, por edhe influencues në vendimmarrje të rëndësishme politike, ekonomike dhe institucionale. “Për këto arsye, Transparency Interantional në Shqipëri konstaton se informaliteti, mungesa e transparencës dhe kuadrit ligjor, mungesa e kapaciteteve dhe mekanizmave të kontrollit në financimet kryesisht nga bizneset dhe subjektet private në favor të partive politike ka krijuar një terren të përshtatshëm për një nivel të lartë të korrupsionit politik. Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore është duke e adresuar vetëm disa nga këto çështje në Kodin Zgjedhor”, - evidenton TI Albania. Ajo vlerëson ndërkohë çdo përpjekje nga Kuvendi për të përmirësuar këtë situatë, por i quan të pamjaftueshme vetëm disa dispozita, të cilat mund të përfshihen në legjislacionin elektoral, pasi transparenca e financimeve të partive nuk është vetëm një çështje e izoluar në periudha zgjedhjesh. Zguri kërkoi publikisht që TIA të realizojë një seancë dëgjimore me Komisionin e Reformës Zgjedhore me pjesëmarrje të gjerë si dhe pjesëmarrje të ekspertëve të saj, veçanërisht për një çështje kaq kritike siç është financimi i partive politike. TIA ka ofruar bashkëpunimin e saj në këtë proces si për Kuvendin ashtu dhe për çdo forcë politike që, sipas saj, ka vullnetin për të hedhur themelet e një sistemi transparent dhe ligjor, i cili do të forcojë demokracinë e brendshme të subjekteve politike, por edhe do të përbëjë një kontribut në konsolidimin e shtetit ligjor.

Kritikat e TIA-s

1. Partitë politike në vend, vazhdojnë të cenojnë një nga detyrimet e tyre kryesore kushtetuese, bërjen publike të çdo lloj burimi financiar. Ato vazhdojnë të fshehin në mënyrë të vazhdueshme deklarimin e burimeve të tyre private.
2. Në Shqipëri vazhdon të mungojë një kuadër i veçantë ligjor për këtë çështje. Çdo iniciativë për të përfshirë disa elemente në Kodin Zgjedhor, jo vetëm që është e vonuar, por edhe nuk garanton zbatimin e plotë të detyrimeve kushtetuese.
3. Mungesa e vullnetit politik imponon mungesën e mekanizmave, kapaciteteve, instrumenteve dhe institucioneve, të cilat duhet të garantonin transparencën e procesit të financimeve të partive politike.
4. Financimet nga subjektet private, donacionet, dhuratat apo ndihmat që japin shoqëritë tregtare, në favor të partive politike, mbeten ende një privilegj jashtë çdo kontrolli fiskal dhe ligjor.
5. Vetë partitë politike nuk kanë bërë ende asnjë përpjekje, për të ngritur kapacitete dhe për të shmangur vakuumin në struktura me qëllim auditimin e brendshëm të financave dhe kjo gjë vihet re pothuaj në të gjitha partitë politike në vend.
6. TI ALBANIA vazhdon të konsiderojë mungesën e transparencës në raportimin e aktivitetit ekonomik të partive politike, si një veprimtari informale dhe një nga komponentët e një procesi të dështuar politik për të formalizuar ekonominë në vend.
7. Shoqëritë tregtare që janë financueset më të mëdha, nuk janë të interesuara të formalizojnë këto marrëdhënie dhe donacionet e tyre, pasi në thelb kanë interesa të ngushta për të përfituar në proceset e prokurimeve, privatizimeve, sipërmarrjeve publike etj. Ata kthehen kështu jo vetëm në partnerë në abuzimin me pushtetin, por edhe influencues në vendimmarrje të rëndësishme politike, ekonomike dhe institucionale.
Ky lajm është publikuar: 21/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›