E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shauerte: “Ndihma financiare për Shqipërinë, e merituar”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Berisha pati një takim me sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë të Republikës Federale të Gjermanisë, Hartmut Shauerte, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të konferencës ekonomike Gjermani-Shqipëri, në krye të një delegacioni prej 80 sipërmarrësish gjermanë, nga kompanitë më prestigjioze të Gjermanisë. Shauerte, pasi falënderoi kryeministrin Berisha për mikpritjen, vlerësoi se marrëdhëniet bilaterale në planin politik janë të shkëlqyera dhe se ato në planin ekonomik janë shumë të mira, por është e rëndësishme që të çohen në një nivel akoma më të lartë. Ai theksoi se konferenca ekonomike është një dëshmi e interesimit të madh të investitorëve gjermanë për të investuar në Shqipëri si dhe një fryt i progresit të admirueshëm të Shqipërisë si dhe konsolidimit të kuadrit ligjor të ekonomisë shqiptare, i cili është i dukshëm vitet e fundit. Kryeministri theksoi se ka qenë e jashtëzakonshme ndihma ekonomike e Gjermanisë në të gjitha fushat dhe në të gjithë vendin, ndihmë që ka dhënë një kontribut shumë të madh në ndryshimin e Shqipërisë në fusha jetike për popullin shqiptar, si furnizimi me ujë, furnizimi me energji, rendi dhe siguria, arsimi etj. Nga ana e tij, Hartmut Shauerte u shpreh se është e vërtetë që asistenca ekonomike gjermane është më e larta për frymë për Shqipërinë dhe theksoi se kjo ka ardhur si rezultat i zhvillimit të dukshëm ekonomik të Shqipërisë, i zbatimit me rigorozitet të reformave në vendin tonë, i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe mbështetjes së Qeverisë shqiptare për investimet e huaja. Kjo vijoi më tej Shauerte i ka dëshmuar Gjermanisë se asistenca financiare për Shqipërinë ka qenë plotësisht e merituar. Ai theksoi se ka një interesim të madh të investitorëve gjermanë për të investuar në Shqipëri edhe në fushën e prodhimit termik dhe hidrik të energjisë, në porte, në përpunimin e mbetjeve urbane sipas standardeve të BE-së etj.
Ky lajm është publikuar: 21/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›