E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ultranacionalistët e "Ergenekon" përpara gjyqit

Autori i Lajmit: red.
“Konkretisht, një rrjet i ultranacionalistëve, i përbërë nga ushtarakë, policë, juristë të prokurorisë, të cilët veprojnë si militantë kundër tërë asaj çfarë për ta konsiderohet si kërcënim i vendit”

Ka filluar dje në afërsi të Stambollit procesi kundër rrjetit ultranacionalist "Ergenekon". Pas kësaj organizate dyshohet se fshihet ajo çfarë në Turqi quhet "shteti ilegal": më tepër se 80 pjesëtarë të ekstremit të djathtë. Ata vijnë nga radhët e forcave të sigurimit apo drejtësisë, të cilët gjatë viteve të kaluara kanë kryer apo planifikuar sulme ndaj liberalëve dhe pjesëtarëve të pakicave. Përveç kësaj, atyre u ngarkohet edhe një përpjekje për puç, e cila ka dështuar verën e këtij viti. Ka ditë që janë rezervuar të gjitha dhomat e lira në rajonin e vogël bregdetar Silivri në perëndim të Stambollit. Kjo për faktin se rëndësia e procesit që do të zhvillohet në burgun e sigurisë së lartë në këtë qytet mund të ketë pasoja të rënda për tërë vendin.
Pas rrjetit Ergenekon dhe 86 pjestarëve të tij të akuzuar, kështu thuhet, qëndron ajo çfarë në Turqi njihet si "shteti i thellësisë apo shteti ilegal". Konkretisht, një rrjet i ultranacionalistëve, i përbërë nga ushtarakë, policë, juristë të prokurorisë, të cilët veprojnë si militantë kundër tërë asaj çfarë për ta konsiderohet si kërcënim i vendit. Lidhja ku bëjnë pjesë katër ish-gjeneralë dhe disa avokatë të njohur akuzohet për planifikimin e një puçi gjatë kësaj vere. Në fillim të korrikut, në 40 qytete të ndryshme ishin paraparë demonstrata që, përmes dhunës së planifikuar, duhej të dilnin nga kontrolli. Njëkohësisht me atentate ndaj personave të jetës publike, shteti duhej të futej në krizë. Përveç kësaj thuhet se gjurmët direkte të vrasjes së gazetarit me prejardhje armene, Hrant Dink, si dhe atentatet kundër priftit italian Santoro dhe tre bashkëpunëtorëve të një shtëpie botuese protestante në Malatia, shpien tek rrjeti "Ergenekon". Edhe ndaj mbajtësit të çmimit “Nobel”, Orhan Pamuk, dyshohet të jetë planifikuar një atentat. Aktakuza përfshin 2455 faqe. Aktualisht, është e vështirë të thuhet se kur mund të përfundojë ky proces gjyqësor. Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut "Human Rights Ëatch" vlerëson se ky proces para së gjithash do të nxjerrë sërish në pah rolin e dyshimtë të ushtrisë turke.

Ky lajm është publikuar: 21/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›