Komandanti i aviacionit:Si e ulëm avionin serb në bazën e Rinasit
RIZA LAHI
“Ajo që ka ndodhur 17 korrikun e 1967 në bazën e Rinasit, ka qenë një nga ngjarjet më të bujshme të aviacionit shqiptar. Falë guximit dhe aftësive të pilotëve të gatshëm, zum rob e ulëm në tokë një avian jugosllav”. Bardhyl Taçi, komandanti i Forcave Ajrore i periudhës më të artë të tyre, e veçon këtë si një nga kreshpat e biografisë së aviacionit luftarak shqiptar. Në rrëfimin e tij për gazetën “Panorama” mundohet ta sjellë ngjarjen me të gjitha imtësitë e saj. Meritën për të, ai ua dedikon tre nga kolegëve të tij, që kanë qenë ndërkaq tre nga miqtë më të ngushtë me të cilët, siç shprehet, është ndjerë krenarë gjatë tërë karrierës profesionale. Mahmut Hysa, Koço Biku dhe Gëzdar Vehipi, tregon ish-komandanti i aviacionit, ishin tre pilotët që bënë uljen e detyruar të avionit serb në Rinas. Ndërkaq Taçi kujton çastet e përballjes me pilotin Bozhidar në Rinas, ku vështrimi i egërsuar i kolegëve të tij dukej sikur do ta përpinte aty për aty. Sidoqoftë, shton ai, kishte rregulla e ligje të veçanta për të tilla raste dhe falë tyre piloti serb, i zënë rob në hapësirën shqiptare, u riatdhesua në Beograd, jo nga ajri siç erdhi, por nga toka, kuptohet pasi u rrëfye për gjithçka rreth inkursionit të tij mbi hapësirën tonë….
Zoti komandant! Çfarë kujtoni nga aktet e pilotëve shqiptarë që kanë bërë kapje reale shkelësish së hapësirës ajrore?
Në historikun e aviacionit luftarak shqiptar janë rregjistruar disa raste të uljes së detyruar të avionëve që kanë shkelur hapësirën tonë ajrore. Janë disa pilotë që kanë kryer të tilla operacione të suksesshme. Mahmut Hysa ka marrë pjesë në dy të tilla. Rasti më i bukur ka qenë kur u arrit të ulej forcërisht në Rinas piloti serb 25-vjeçar, i quajtur Bozhidar. Ka qenë një ngjarje vërtetë interesante dhe gati e pabesueshme…
Pra, Mahmut Hysa ka drejtuar operacionin për kapjen dhe uljen e detyruar të avionit jugosllav…
Ishte 17 korriku i vitit 1967. Më saktë, ishte pas mesnata e kësaj dite. Kishim patur fluturime natën, deri aty nga ora 03:00, Si përfunduan ato, pilotët u nisën për në shtëpi. Mahmuti i shkretë, që e kishte shtëpinë ca larg, nuk shkoi, por fjeti në Rinas, në bazë. Aq, sa mund të pushojë një burrë në repart. Ende pa zbardhur dita, erdhën pilotët e gatishmërisë. Njëri ndër ta ishte Koço Biku; një djalë i ri që mbante nga një paketë cigare vetëm për të qerasur shokët e për të pirë ndonjë gotë për qejf.
Nuk ishte zbardhur akoma e ata ranë, ashtu të veshur, për të bërë edhe një tjetër sy gjumë. Teksa filluan të dremiten, Mahmuti, që ishte zgjuar me kohë, u avit te krevati i Koços dhe u mundua ta zgjojë, duke e thirrur te koka. “Çohu, Koço, të pimë nga një cigare”. Ai nuk ja prishi dhe u çua menjëherë. Të dy bashkë ndezën nga një cigare në të dalë të fjetores. Pikërisht në këto çaste një zhurmë e dyshimtë që vinte nga qielli i atij mëngjesi të herët, ua la bisedën në mes dhe Mahmuti i alarmuar filloi të komandojë me zë të lartë: “Njësëëëëshiii, bëhu gati!” Sakaq, bashkë me Koçon u vërsul tek avionët e gatishmërisë. Ndërkaq, njëri prej pilotëve që kishte flututuar natën dhe po flinte te hoteli i beqarëve, si ndjeu rrëmujë, brofi me rrobat e gjumit dhe me një frymë u gjend tek avioni i gatishmërisë. Siç qe ashtu, i çveshur, u ngrit në ajër drejt një të panjohure me rreziqe. U ngrit në emër të detyrës. Ishte Gëzdar Veipi, njëri prej pilotëve të klasit të parë, që për vite me radhë ka bërë detyrën e komandantit të bazave ajrore…
Çfarë rreziku paraqiste për Gëzdar Veipi ngritja në ajër me rrobat e gjumit?
Një rrezik të jashtëzakonshëm, padyshim. Gëzdari në atë fluturim ishte pa kostum mbingarkesash, zbathur (që parakupton përcëllimin e këmbëve nga nxehtësia e petaleve), i palidhur me rripa që do të thotë moskoordinim i mirë i komandave, prishje e ekuilibrit të organizmit dhe… Shkurt një gjendje e paparashikuar në asnjë nga instruksionet profesionale. Megjithatë, Gëzdari e realizoi fluturimin edhe në këto kushte. Madje me sukses. Ky përbën një nga rastet spektakolare të aviacionit luftarak shqiptar...
Diçka më konkrete për realizimin e kapjes dhe uljen e avionit serb në Rinas?
Dy avionët e çiftit, që drejtoheshin nga Mahmuti dhe Koçua, e vunë në mes, ndërkohë Gëzdari që u çua fill pas tyre u pozicionua prapa bishtit të tij, pak lart. Ishte kjo mënyra më e mirë për të bllokuar çdo iniciativë të avionit shkelës për veprime të rrezikshme. Në fillim, piloti jugosllav që e kuptoi situatën, nisi të bënte manovra për t’u shkëputur nga kontakti me avionët tanë, por, manovrat e tij sa vinte e bëheshin më të ngathta dhe pa ndonjë dëshirë të madhe. Nga mënyra si u rrethua nuk kishte çfarë të bënte, veçse t’i bindej urdhrit të pilotëve tanë që nuk i ndaheshin për asnjë moment…
Nejse, si u detyrua për t’u ulur në tokë avionin jugosllav?
Siç e theksova, piloti shkelës, pasi u mundua të bëjë ndonjë përpjekje, u bind se ishte e pamundur të kthehej mbrapsh dhe ju përgjigj “komandës” të pilotëve tanë që e ndiqnin duke e mbajtur në shinjestër për të marrë rrugën e Rinasit. Dhe ashtu dalëngadalë filloi të ulej. Para tij u ul në aeroport njëri nga aeroplanët e çiftit të gatishmërisë. Dy avionët e tjerë që e shoqëronin patrulluan për pak çaste mbi Rinas për çdo të papritur, pastaj njeri pas tjetrit u ulën dhe ata. Më në fund shkelësi nga Beogradi kishte rënë rob. Ishte nga “mysafirët” e rrallë që “vizitonte” Rinasin. Ishte diçka interesante atë ditë. Kur Bozhidari i mbytur në djersë zbriti, doli nga kabina, e morëm dhe e dërguam në infermieri. Fillimisht refuzoi të hante ushqimin që i servirën dhe kërkoi të ndizte një cigare. Koçua që e mbante si gjithnjë një paketë për miqtë, ja zgjati me një lloj qesëndie të veçantë. Kur tjetri mori një cigare dhe ja ktheu, ai i tha në shqip se ja kishte falur. Deshi nuk deshi Bozhidari e futi në xhep dhe për disa çaste ndenji në heshtje. Pastaj e futën në një zyrë dhe i kërkuan shpjegime për këtë “vizitë” të palajmëruar. Ja kështu ishte kjo historia e uljes së pilotit serb në Rinas. E gjitha me iniciativën e Mahmut Hysës dhe trimërinë e pashoqe të Gëzdarit dhe Koços. Eh, Mahmuti i shkretë ndërroi jetë krejt papritur pas ngjarjes tragjike që ndodhi në Rinas ku u vranë dy pilotët e talentuar Sabri Toçi dhe Armando Gjoka. Bënte detyrën e komandantit të regjimentit atëherë dhe nuk pati forcë ta suportojë tragjedinë e rëndë me dy shokët tanë të shtrenjtë…
Në përballjen me Bozhdarin, cili ishte reagimi i pilotëve tanë?
Egërsia e vështrimeve të tyre kërkonte ta përpinte të gjallë serbin që kishte ardhur i paftuar në Rinas. Megjithatë, falë rregullit të detyrës për të tilla raste, u desh ta ruanim nga ndonjë reagim i papërmbajtur se tërbimi i pilotëve është i rrezikshëm. Si e mbajtëm dy ditë për t’i marrë rrëfimin e këtij inkursioni në vendin tonë, e riatdhesuam andej nga kishte ardhur…
Zoti komandant! Ju keni bërë me dhjetëra orë fluturime, a ju kanë ndodhur probleme në ajër?
Në përgjithësi, në rregull më kanë shkuar punët edhe mua. Normal. Po kam patur edhe nja dy gjëra të vogla. Një herë, sapo u shkëputa nga toka, m’u shkëput rezervuari i majtë dhe avioni duke u anuar andej, pa m’u bindur mua, po i afrohej një mullari me sanë. Unë i kisha dhënë komandave plotësisht nga e kundërta, por komandat në ngritje nuk janë efektive sa duhet, derisa të rritet shpejtësia. Vetëm prit …Shyqyr që kam kaluar mullarin thuajse duke e cikur me krah; ishte një disbalancë prej 500 kilogramësh. Ishte, kështu, një telash që më ndodhi nga një punë jo e kujdesshme në tokë prej përgatitësve të aeroplanit. Më ka ndodhur edhe një rast i tmerrshëm… krejt për fajin tim.
Kush ju ndihmoi, si shpëtuat, si ndodhi?
Ishte viti 1962. U ngrita me alarm. Kishte ndodhur një shkelje në jug. Mora lartësinë 12 mijë metro dhe, gjithnjë në ndjekje të objektit të cilin, jo vetëm që nuk po e shihja, por po ndjeja një të këputur, si një asfikësi të përgjithshme. Aeroplani kaloi Vlorën, kaloi edhe përmbi Sazan dhe po ecte drejt Italisë sikur ikte vetë. Po më vinte një gjendje gjumi. Mu desh dhe të shtrëngoja maskën e oksigjenit dhe…o zot. Gjë më të mrekullueshme në botë nuk kish pasur, sesa ajri, ky që na rrethon në çdo çast. Unë isha ngritur në alarm pa e shtrënguar maskën e oksigjenit dhe, kur ai më erdhi në organizëm, gjithçka u gjallërua si një pranverë. Rrëmbeva komandat dhe u ktheva vërtik. Kisha qenë duke hyrë në hapësirën mbi ujrat italiane. Kur njeriu nuk ka oksigjen, goditjen nis dhe e merr i pari truri. Njeriu nuk është në gjendje as të bëjë veprime elementare matematike, gishtërinjtë nisin të nxihen deri sa humbet ndjenjat përjetë…
Po ndonjë rast tjetër, të kujtohet të kesh bërë ndonjë thyerje që të ka rrezikuar?
Shiko! Unë kam këmbëngulur që të bëhet gjithçka vetëm sipas rregulloreve dhe garancia e detyrës ishte e plotë. Megjithatë…Jetë i thonë…Në derdhjen e Vjosës kishim poligonin për qitje natën. Ne arritëm të organizonim qitje natën me MIG edhe duke përdorur kanoce të mbushura me hi e vajguri për të ndriçuar. Por ishte edhe ky variant që po të tregoj më poshtë. Ndriçimi të bëhej nga një aeroplan tjetër me bomba ndriçuese, që zbrisnin ngadalë si parashutë dhe, piloti tjetër, në rastin konkret unë, do të hidhja bombat mbi objektin e ndriçuar me bombë. Kështu…Kaloi Sokrat Prifti mbi poligon në lartësinë 3000 metro e hodhi bombën – parashutë. Fill pas tij, hyra unë. Në vend që të futesha në pikiatë si të ishte bomba pranë tokës, hyra nën të, ndërsa ajo po binte. Ishte një mrekulli. O, sa mirë dukej gjithçka, si të ishte ditë e kulluar. Si hodha bombat në shenjë të gjitha, u dhashë komandave për lart, kur, nga kontrasti i menjëhershëm mes atij ndriçimi dhe natës së sterrtë, m’u verbua shikimi pothuajse. Kam nisur të shoh vetëm mbi Vlorë. Llogarit pra, tërë atë distancë, që nga derdhja e Vjosës e deri në Vlorë, unë kam ngarë avionin si një i verbër…
Ndërkaq, u ke thënë atyre në tokë që kështu e ashtu më ngjau, apo u ke mbajtur të fshehur…
U kam thënë për të dyja këto ngjarje që më kanë ndodhur mua. Madje i kam analizuar para shokëve pa fshehur absolutisht asgjë. Se lipsej që këto gabime nuk duhej t’i përsëriste askush nga shokët e mij gjatë fluturimeve…
Gëzdar Vehipi: Çastet kur dyluftonim në ajër me Bozhiarin
Teksa flija në krevat, më zgjoi një zhurmë që vinte nga jashtë, herë e plotë dhe herë e ndërprerë. Për një çast dola në ballkon. Në jug të aerodromit sa ishin ndezur turbinat e avionëve roje dhe pritej lëshimi i tyre. Ishte një ngjarje e pazakont. Borfa në këmbë dhe siç isha me rrobat e gjumit, dola te porta e hyrjes, ku sa kishte mbërritur me shpejtësi një veturë tip Gaz 69. Të parit ju drejtova shoferit: Çfarë ka ndodhur? “Alarm luftarak! Një avion i huaj ka shkelur territorin tonë...”, m’u përgjigj ai. Sakaq hypa siç isha me të mbathura në kabinën e tij dhe e urdhërova për t’u nisur tek aeroplanët e gatishmërisë. Harrova për një çast kërkesën taksative të instruksioneve, që ndalonte rreptësisht futjen në aeroplan pa u veshur. Sidoqoftë ndeza motorrët dhe menjëherë bëra lëshimin. Ajri i ngrohtë i kabinës filloi të më digjte trupin e zhveshur, ndërkohë që dhëmbëzat e pedaleve më pickonin këmbët. Para meje sa ishte nisur çifi roje. Në pak sekonda ju afruam objektivit dhe menjëherë u futëm në dyluftim me të. Si e vumë nën komandë avionin shkelës e ulëm në Rinas. Pas tij u ulëm edhe ne. Unë u ula i fundit. Për një arsye teknike dola bashkë me avionin nga pista, duke rrëshqitur në tokën në anë të saj. Ushtarët e baterisë kundërajrore, që ishin vendosur në cep të aerodromit, sa ndaloi avioni vrapuan për nga unë. Teksa bëhesha gati të dilja nga kabina, u kujtova që isha me rrobat e gjumit, dhe u ktheva mbrapsh, me bindjen për të dalë kur të largoheshin ushtarët. Në çast komunikova me radio me një shokun tim, që më solli një palë kombinoshe. I vesha ato shpejt e shpejt dhe dola. Koçua dhe Mahmuti ishin të parët që mu afruan për të më takuar. U përqafova me ta dhe filluam të flisnim për prapësitë e “mysafirit” që kishim zbritur në Rinas. Bëmë një fotografi para avionit të tij dhe pastaj u interesuam për pilotin Bozhidar që sa e kishim kapur rob. Aty mësuam se ishte 25 vjeç dhe atë ditë ishte ngritur nga Zemuni në afërsi të Beogradit, për të zhvilluar qitje bombardime në afërsi të Kumanovës së Maqedonisë. Sidoqoftë, qëndroi dy ditë Bozhidari në hotelin tonë dhe pas shpjegimeve për autoritetet zyrtare, u riatdhesua në Beograd. Pas dy ditësh pala jugosllave nisi një pilot tjetër në Shqipëri, për të tërhequr avionin e markës F – 84G prodhim amerikan. Më qëlloi mua dhe pilotit tjetër Mahmut Hysa që ta përcillnim “mysafirin” e paftuar po nga ajri deri në kufirin shtetëror. Pasi u ngrit, e vumë në mes duke i qëndruar shumë afër...