E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria ngjit 3 vende në klasifikimin e FIFA

 

Shqipëria e ka nisur mjaft mirë vitin 2009, duke u ngjitur edhe tri vende të tjera në renditjen botërore të FIFA-s për muajin janar 2009. Tani jemi në vendin e 78-të, nga i 81-ti që renditeshim në muajin dhjetor 2008, duke bërë “kërcimin” më të madh nga gjashtë skuadrat e Grupit 1 eliminator të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”. Duke parë të gjitha renditjet gjatë muajit janar, që nga fillimi i vitit 1993, vendi i 78-të është i dyti më i mirë, pas atij të vitit 2001, kur në janar të atij viti renditeshim në vendin e 74-t. Ky është klasifikimi më i mirë i kuqezinjve gjatë kohës që drejtohen nga trajneri Ari Han. Në renditjen specifike evropiane, Shqipëria renditet po në vendin e 36-të, ashtu si në muajin dhjetor, duke lënë pas plot 17 vende nga 53 federata që aderojnë në UEFA. Nga kundërshtarët e tjerë të eliminatoreve të Botërorit 2010, Portugalia ndodhet e 11-ta në FIFA, Suedia ka ngjitur 1 vend, tani e 31-ta në FIFA; Danimarka e 36-a në FIFA (+1 vend); Hungaria nuk ka lëvizur dhe ndodhet në vendin e 47-të. Malta, kundërshtari ynë i radhës në ndeshjen zyrtare të 11 shkurtit, ka zbritur 1 vend dhe tani është e 148-a në FIFA dhe e 49-të në renditjen e UEFA-s. Renditja botërore dhe ajo evropiane kryesohet nga Spanja (1663 pikë), Gjermania (1381 pikë) e Holanda (1338 pikë).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›