Parashutat e arta
Edmond Tupja
Kështu i quajnë, të paktën në Francë, shpërblimet e majme që i japin bujarisht vetes, në trajtë bonus-esh apo stock options-esh, drejtuesit e atyre ndërmarrjeve apo institucioneve (si bankat etj., etj.) që ndihmohen nga shteti për t’i bërë ballë krizës së rëndë që ka pllakosur në ditët tona ekonominë (por jo vetëm atë) anembanë rruzullit tokësor.Parashutat e arta... Skandali i tyre plasi edhe në SHBA, por presidenti Obama u tregua i palëkundur dhe një pjesë e atyre që ishin vetëshpërblyer në atë mënyrë, i kthyen shumat që kishin marrë. Kurse në Francë, presidenti Sarkozy sapo ka nxjerrë një dekret për të frenuar dukurinë në fjalë.
Sigurisht, në vendin tonë, me sa di e jam i informuar, qeveria nuk ka ndihmuar financiarisht ndonjë firmë private apo institucion bankar a të një natyre tjetër që t’i bëjë ballë krizës, prandaj më duket se nuk shqetësohet që të marrë vesh nëse praktika e parashutave të arta është bërë realitet në Shqipëri. Por, gjithsesi, çështja e shqetësimit apo e indiferentizmit të saj ndaj parashutave të arta mund ose duhet të shtrohet lidhur me dikasteret ministrore, ndërmarrjet dhe institucionet buxhetore, deri tek hallkat më të ulëta të administratës shtetërore. Për të, pra, lind nevoja, në këto kohëra peshkimi në ujëra të turbullta dhe pasurimi në rrethana po aq të turbullta, që të hetojë në këtë drejtim, që t’i bëjë të njohura botërisht rezultatet e plota të hetimit të saj dhe të marrë masa të ngutshme që paratë e taksapaguesve të administrohen siç, kur e ku duhet.
Thënë më thjesht e më troç, unë do të dëshiroja të dija ç’lloj shpërblimesh, në ç’sasi e me ç’ritëm i japin vetes ministrat, drejtorët, nëndrejtorët e shefat e tjerë të shkallëve të larta, të mesme e të ulëta të hierarkisë së administratës shtetërore. Do të dëshiroja gjithashtu të dija se ç’masa e sanksione parashikohen kundër abuzuesve guximtarë që praktikojnë sportin e hedhjes me parashuta të arta, që do të thotë t’ua hedhësh të tjerëve duke u hedhur atyre hi syve njëkohësisht. Së fundi, do të dëshiroja të dija a do të zbatohen ndonjëherë këto masa e sanksione.
Unë jam pothuajse i bindur se këto pyetje do të mbeten pa përgjigje, sidomos tani, në këtë pragfushate zgjedhore, gjatë së cilës paratë do të derdhen lumë majtas e djathtas, poshtë e lart, si edhe nga të gjitha anët, në trajta të shumëllojshme, ndoshta edhe me parashuta të arta, argjendi e bronzi.
Jam pothuajse i bindur gjithashtu që, pragmatistë si përherë, madje më shumë se përherë, jo pak biznesmenë e afaristë shqiptarë, gjatë fushatës zgjedhore, do ta hedhin paranë (investim quhet edhe kjo praktikë) edhe për të djathtën, edhe për të majtën njëherazi, duke shpresuar se kjo bujari nuk do të vonojë t’u shpërblehet.
Të njëjtin shqetësim kam edhe për administratën e pushtetit vendor lidhur me parashutat e arta, të njëjtat pyetje si pak më lart, kam edhe në drejtim të saj, megjithëse jam pothuajse i bindur që edhe ato do të mbeten pa përgjigje. Sidoqoftë, pavarësisht nga lloji, modeli e rendimenti i parashutave të arta, frika ime është se, në një të ardhme aspak të largët, mund të shtohet (për)bindshëm numri i kandidatëve për parashutistë të këtij lloji të veçantë.
Le të më lejohet së fundi t’i kthehem edhe një herë togfjalëshit “parashutë e artë”. Pavarësisht etimologjisë së fjalë “parachute” në frëngjishte (para, d.m.th. “që mbron”, dhe chute, d.m.th. “rënie”, pra, parachute, d.m.th. “që të mbron nga rënia”), fjala “parashutë” në shqipe të sjell menjëherë në mendje paranë, d.m.th. lekun, si edhe shutin, d.m.th. goditjen (term i fjalorit futbollistik), çka mund të interpretohet si “goditje me para”. Dhe kur kjo para është e artë, përfytyroni se çfarë goditje të jep ajo, vërtet një gol të artë. Një gol të artë për kë? Për ata që godasin. Por që godet pa mëshirë atë që pret në portë. D.m.th. taksapaguesit. Pra, ashtu si në një ndeshje futbolli finale, gol i artë (golden goal) për njërën palë, vdekje e papritur (sudden death) për palën tjetër. Thënë më shkoqur, vdekje e papritur për ty, lexues i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikë sime, po, po, për ty, por edhe për mua, d.m.th. për ne, ju, ata, ato, që nuk kemi asnjë lloj parashute në kuptimin francez, por edhe shqiptar të fjalës, d.m.th. asgjë që të na mbrojë nga rënia. Nga rënia ekonomike, por edhe nga rënia shpirtërore.