E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika e re dhe Toohizmi politik

Grid Rroji 

Ellsworth Toohey është një nga personazhet negativë më të famshëm të  letërsisë amerikane të shekullit të njëzetë, i njohur nga publiku shqiptar edhe nëpërmjet filmit “Arkitekti” të transmetuar në një platformë dixhitale. Filmi është bazuar në romanin “Burimi” të filozofes ruso-amerikane Ayn Rand, e cila tek Toohey ka pasqyruar figurën tipike të politikanit manipulues përtej ideologjisë. Politikani përtej të majtës dhe të djathtës Toohey ka për qëllim të vetëm politik të “sundojë shpirtin e njerëzve” duke krijuar një botë virtuale të mirëkontrolluar nga ai, e cila domosdoshmërisht “vret sensin e njeriut për vlera, kapacitetin e tij për të njohur madhështinë apo për ta arritur atë”. Toohizmi synon pra të shkatërrojë “madhështinë brenda njeriut”, duke e “shkatërruar nga brenda aftësinë e tij për të njohur frymëzuesen e të vlershmen, sepse njerëzit e frymëzuar nga vlerat nuk mund të sundohen”.
Përqafimi i Toohizmit politik si rruga më e shkurtër drejt përfitimit dhe pushtetit nga Edi Rama dhe sateliti i tij Erion Veliaj është dukuria e fundit e këtyre pragzgjedhjeve në Shqipëri. Duke qenë se nuk ka ndjeshmëri ideologjike apo afërsi politike me partinë që kryeson, Edi Rama përdor çdo gjë që kontrollon, përfshi edhe karrieristë si Veliaj, për të sharë, nxirë, frikësuar dhe manipuluar opinionin. Ata janë gati të çojnë përpara çdo betejë politike, sado të mbështetur në flluska të cilat shfryhen sapo ceket pak e vërteta, pa u merakosur për çmimin që kjo i sjell shoqërisë.
Përdorimi i aksidenteve personale dhe teknologjike, përdhosja e institucionit të vdekjes me mitingje elektorale, presioni i përditshëm ndaj drejtësisë me deklarata politike dhe përdorimi i scoop-it mediatik për të dënuar paraprakisht çdokënd që hetohet, edhe pse gjykatat janë i vetmi institucion që mund të gjykojë në një vend demokratik, nuk janë tregues të një politike të ndryshme, por të një vazhdimësie të ndryshkur.
Futja e koncepteve të reja politike do të ishte shumë e dobishme nëse do t’u ofronte qytetarëve vlera të reja, të cilat t’i bindnin ata që të përmirësonin kuadrin politik të vendit. Por kjo do të ishte një rrugë e gjatë, e mundimshme, me ngjitje-zbritjet e saj, e cila nuk do të garantonte pushtetin për toohistët e rinj të politikës shqiptare. Me disiplinë të frikshme dhe synime tejet të qarta, Rama dhe satelitët e tij zgjedhin të nxijnë realitetin, trembin qytetarët dhe t’i futin ata në një qerthull të mbyllur pesimizmi, në vend që të propozojnë alternativa konkrete më të mira për qytetarët të bazuar në ideologjinë e tyre partiake. Dhe e gjithë kjo bëhet në emër të shpresës dhe ndryshimit!
“Politika e re” e pranon se nuk mbështetet në vlerat  programatike që sjellin prurjet e reja, por përdor makinën mediatike për të promovuar disa fytyra të reja pa ide, pa përvojë dhe pa skrupuj, me meritën e vetme se janë përtej të majtës dhe të djathtës. Me gjithë fanfarën e madhe që iu bë “dialogut me shqiptarët” dhe disa propozimeve diletante të 99 votuesve të Veliajt, “politika e re” ende nuk ka prezantuar një program politik alternativ, me justifikimin qesharak se kanë frikë se mos iu përvetësojnë idetë. A nuk është qëllimi i një partie politike që të përvetësohen idetë e saj në shkallë sa më të gjerë? Siç duket “politikës së re” nuk i duhen idetë e reja, por imazhi me të cilin synon të shesë një çorbë të vjetër si sallatë të re. Humbja e vlerave si pikë referimi dhe manipulimi i realitetit duke mbjellë në mendjet e njerëzve krizë, varfëri dhe probleme të paqena, është një dukuri që nëse rezulton politikisht e suksesshme mund të ketë pasoja të paparashikueshme për nivelin e lirisë së mendimit dhe të fjalës në vend. Në qoftë se shqiptarët do të pranojnë se për të qeverisur vendin nuk duhen rezultatet konkrete në qeverisje, por vrulli retorik i gënjeshtarëve të rinj, në qoftë se nuk konsiderohet si arritje historike anëtarësimi në NATO, por lobohet pranë ambasadave të huaja që Shqipëria të mos hyjë në NATO pa mbaruar procesi i letërnjoftimeve, nëse shqiptarët pranojnë se idetë politike të mirëfillta do të zëvendësohen nga spekulime përtej të majtës dhe të djathtës, atëherë Toohizmi i ri i partnerëve Rama-Veliaj do të ketë triumfuar.  Besoj se me hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe vazhdimin e procesit të integrimit në BE do të ngushtohen hapësirat për spekulatorët Toohistë, të cilët përdorin çdo mjet për të sunduar shpirtin e shqiptarëve nëpërmjet daulleve mediatike. Kjo jo vetëm sepse shqiptarët dinë të shohin përtej perdes së ndërtuar nga “politika e re”, por edhe sepse në fund vlerat e vërteta fitojnë gjithmonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›