E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia rihap Laboratorin e Restaurimit

Duhej ndërhyrja e policisë që laboratorit t’i hiqej dryni. Pas dy muajsh endjeje, dy punonjësit e vetëm të Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë, në varësi të Qendrës së Studimeve Albanologjike, prej tri ditësh janë kthyer në banesën e vjetër.

Ndonëse ndërtesa ku është vendosur laboratori, pjesë e kompleksit të banesave karakteristike, ish-pronë e Toptanëve, u është kthyer pronarëve të ligjshëm, Libohovajve, prej 7- vjetësh, vetëm pak kohë më parë ata vendosën ta rimarrin atë, duke i dhënë kështu fund pritjes së gjatë për ndonjë pagesë nga ana e përdoruesve të ndërtesës. Ata i vunë drynin pronës së tyre, duke izoluar aty brenda edhe gjithë arsenalin e aparaturave, mjeteve dhe kimikateve që përdoreshin në laborator, i vetmi në llojin e vet në Shqipëri, e ku gjenin “shërim” objekte arkeologjike të të gjitha llojeve, që nga metalet, qelqi, qeramika, tekstili, etj. Prej dy muajsh laboratori nuk ka funksionuar, duke lënë përgjysmë punët e nisura nga personeli i pakët i këtij institucioni. Vetëm tri ditë më parë, me ndihmën e forcave të policisë, u bë i mundur “çlirimi” i laboratorit. Duhet thënë se gjithçka ishte në vendin e vet, pasi pronarët nuk kanë guxuar t’i prekin pajisjet që ndodhen në dhomat e drunjta. Kjo edhe për faktin se ende nuk ishte bërë një inventar i aparaturave dhe gjithçka tjetër ndodhej aty. Padyshim që Libohovajt nuk do të donin të kishin probleme me shtetin. Shefi i laboratorit, Frederik Stamati, thotë se tanimë puna ka rifilluar normalisht. Por rikthimi në banesën e vjetër nuk është zgjidhja përfundimtare. Godina, brenda hapësirave të Kalasë së Tiranës do t’u kthehet pronarëve të ligjshëm. Pak kohë më parë, një nga përfaqësueset e pronarëve, u shpreh se ata dëshirojnë të rikonstruktojnë pronën e tyre, një e drejtë legjitime. Duke qenë në përdorim nga Akademia e Shkencave dikur, në varësi të së cilës ka qenë laboratori, e më pas të Qendrës Albanologjike, ata nuk kishin mundësi të ndërhynin e të rikonstruktonin banesën e tyre, çka e kishte çuar këtë objekt shekullor drejt degradimit. E tanimë atyre u duhet të presin sërish. E po kështu, edhe laboratori, i cili duhet të zhvendoset në ambiente të reja. Stamati thotë se po bëhen disa përpjekje për zgjidhjen e kësaj çështjeje, por nuk është edhe aq e thjeshtë, pasi laboratori kërkon një investim serioz, kërkon hapësirën dhe kushtet optimale të dritës, lagështirës, etj., për shkak të specifikave që ai ka, por edhe për shkak se atje mbahen lëndë kimike e solucione, për të cilat këto kushte janë të domosdoshme.
Restaurimi i instrumentit
2000-vjeçar
Me t’u futur në laborator, punonjësit e tij rifilluan punën restauruese. Tashmë, ato kanë në duar një instrument muzikor, një fyell i cili mendohet të datojë mes shek. I pas Krishtit-shek. I para Krishtit. Ky objekt është zbuluar një vit më parë në qytetin e Lezhës dhe tanimë i është nënshtruar restaurimit pranë Laboratorit të Arkeometrisë dhe Konservimit. Shefi i laboratorit, Frederik Stamati, tregon se “gjatë vitit të kaluar në Lezhë është zbuluar një mori fragmentesh prej kocke, të cilat nuk kishin asnjë formë. Por disa të dhëna të bënin të besoje se bëhej fjalë për një instrumet muzikor, më konkretisht një fyell i periudhës romake, mes shekujve të parë, para dhe pas Krishtit”. Sipas tij, u desh një punë shtatë mujore që të arrihej në restaurimin e fragmenteve, mbi 200 syresh, për të formësuar një trup më të madh. “Nga shqyrtimi i materialit rezulton se këtu mund të ketë qenë ose një punishte që prodhonte instrumente muzikore, ose një dyqan ku shiteshin këto instrumente, por kjo nuk është përcaktuar akoma dhe do të dojë ende gërmime te tjera arkeologjike, për të arritur në një përfundim më të saktë”.
Mësohet se është hera e parë që zbulohet një objekt i tillë dhe sipas Stamatit, është e nevojshme që ai t’i nënshtrohet analizave të mëtejshme, nga ana e specialistëve të instrumenteve muzikore. “Në Shqipëri kemi dy raste analoge të këtij tipi. Në vitin 1975 është zbuluar në Apolloni një grup kockash të ngjashme me këto, të futura në një enë bronzi, ndërsa rasti tjetër është ai i një viti më parë në Lezhë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›