E Diel, 1 Nëntor 2026

Një udhëtim fotografik i 5 artistëve shqiptarë e gjermanë “Shqipëri-Gjermani, pas rënies së Murit të Berlinit



Ata sjellin historinë e ndryshimit përmes fotografisë. Por jo vetëm, edhe përmes këndvështrimit të atyre që kanë përjetuar histori të ngjashme në vende të ndryshme. Nesër, në orën 19.00 në Galerinë e Arteve në Pogradec hapet “Shqipëri-Gjermani: Një udhëtim fotografik”. Bëhet fjalë për një cikël fotografik nga pesë artistët shqiptarë dhe një gjerman, Bevis Fusha, Arvenol Hasa, Ledia Kostandini, Alketa Ramaj, Heinrich Völkel, të cilët na ofrojnë një panoramë të Shqipërisë e Gjermanisë, 20- vjet pas rënies së Murit të Berlinit. Ekspozita fotografike është menduar në dy pjesë: Shqipëria, 20- vjet pas rënies së komunizmit nga këndvështrimi gjerman dhe Gjermania, 20- vjet pas ribashkimit të Gjermanisë nga këndvështrimi shqiptar. Sipas drejtoreshës së Tirana Art Lab – Qendër për Artin Bashkëkohor, organizatore e kësaj ekspozite, Adela Demetja, fotografi gjerman, Heinrich Völkel, që nga viti 2005 ka vizituar rregullisht Shqipërinë. Në projektin fotografik “Tirana - Mon Amour”, me fokus tek portreti dhe fotoreportazhi, ai përpiqet të dokumentojë përshtypjet e tij mbi Shqipërinë dhe njerëzit gjatë proceseve të shpejta transformuese në vend. Fotografitë e tij janë shumë të thjeshta, me një kompozim formal, që arrijnë të krijojnë një situatë impozante, duke paraqitur në mënyrë realiste shoqërinë shqiptare post-komuniste, 20- vjet pas rënies së regjimit komunist. Paralelisht me të, katër fotografë dhe artistë shqiptarë kanë vizituar Gjermaninë në vitin 2010. Gjatë qëndrimit të tyre në Gjermani ata kanë vizituar vende dhe takuar njerëz të ndryshëm, duke pasur si qëllim zbulimin të vendeve interesante, të cilat ringjallin historinë, duke i paraqitur publikut shqiptar Gjermaninë 20- vjet pas ribashkimit. Ekspozita organizohet nga Tirana Art Lab - Qendër për Artin Bashkëkohor në kuadër të tetorit Gjerman, me mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Tiranë dhe Fondacionit të Kulturës Evropiane. Në tetor 2010, kjo ekspozitë do të prezantohet gjithashtu edhe për publikun në Tiranë, gjatë muajit të kulturës gjermane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›