E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja, gjysma e ekipit në merkato

TIRANE-Ndërsa Kuzhe shpreson të ndërtojë një skuadër të mirë për t'u përballur me Argjentinën, vëmendja e futbollistëve të kombëtares shqiptare duket e përqendruar diku tjetër tashmë. Në këtë fillim të periudhës së merkatos, thuajse gjysma e ekipit përfaqësues është pa skuadër apo në kërkim të transferimit në një klub më të mirë. Duke nisur nga Lorik Cana, Ervin Bulku, Ervin Skela, Jahmir Hyka, Andi Lila, Emiljano Vila, Edmons Kapllani, Armend Dallku, Klodian Duro apo Gjergji Muzaka, të gjithë janë në kërkim të "eksperiencave" të reja. Futbollistët kuqezinj që luajnë në Shqipëri duan të transferohen jashtë për të luajtur në nivele më profesioniste, ndërkohë që ata që janë në vende të tjera, synojnë të gjejnë ekipe ku paguhen më mirë.
Pa skuadër
Thuajse në çdo merkato vere, një pjesë e mirë e futbollistëve shqiptarë mbesin pa skuadër. Kështu ka ndodhur një vit më parë me Bogdanin, Skelën e Duron, ndërsa këta dy të fundit nuk kanë një kontratë edhe këtë sezon. Pas rënies së Arka Gdynias nga kategoria, Ervin Skela është pa ekip dhe ai përflitet se mund të shkojë në Arabi. Në fakt, fantazisti vlonjat qëndroi 7 muaj pa luajtur në sezonin që sapo u mbyll, për shkak se nuk kishte një ekip. Sa i përket Duros, Lask Linzi në Austri është i gatshëm ta mbajë, por kjo skuadër ka rënë nga kategoria dhe kjo do të thotë se rroga e mesfushorit kuqezi do të ulet ndjeshëm.
Transferimet
Një pjesë e futbollistëve kuqezinj kanë skuadër, por ata kërkojnë të ndryshojnë destinacion, në kërkim të diçkaje më të mirë në merkato. Në këtë listë hyjnë futbollistë si Lorik Cana, që është në tratativa me Lacion prej javësh tashmë, por që ende nuk është arritur akordi përfundimtar mes dy klubeve. Një tjetër emër është Ervin Bulku, që luan me Hajdukun e Splitit. Mesfushori luan në një klub të madh, por ai kërkon një vend ku të paguhet më mirë, duke qenë se në Kroaci ka një pagë deri diku modeste në krahasim me lojtarët që janë pjesë e këtyre niveleve dhe që veshin edhe fanelën e ekipit kombëtar. Përsa i përket Armend Dallkut, ai e konsideron veten gjithnjë në merkato, ndërkohë që ndryshe është rasti i Edmond Kapllanit. Sulmuesi durrsak e ka përfunduar epokën e huazimit te Paderborni dhe është rikthyer tek Augsburgu, por ky klub kërkon ta shesë dhe ofertat nuk mungojnë.
Vendasit
Një pjesë e mirë e futbollistëve të kombëtares shqiptare luajnë në Superligë dhe kërkojnë të transferohen në një kampionat më profesionist e më të fortë. Në këtë kategori hyjnë Jahmir Hyka, Andi Lila, Gjergji Muzaka apo Emiljano Vila. Ata i përkasin një brezi shumë të talentuar futbollistësh, por që shpesh kanë qenë edhe të pafat, si Vila apo Hyka. Këta dy të fundit i kanë provuar eksperiencat jashtë, por u është dhënë shumë pak shansi që të tregojnë veten, sidomos fantazistit të Tiranës. Sa i përket Lilës, ai është shumë pranë Hajdukut të Splitit, që kërkon prej një viti një mbrojtës të djathtë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›