E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtarja i jep fund ëndrrës, humbje e rëndë në Zenica

BOSNJE- Kombëtarja shqiptare është mundur 2-0 në Bosnje, duke iu dhënë praktikisht fund shpresave për një vend në Europianin e vitit 2012. Takimi i luajtur në Zenica ka treguar edhe këtë herë fytyrën e vërtetë të përfaqësueses kuqezi, e cila në momentet më të rëndësishme të edicionit dhe sidomos në takimet jashtë vendit, e sheh veten të mundur.

Ndaj boshnjakëve, kuqezinjtë kanë luajtur vetëm 45 minuta, ndërkohë që në pjesën e dytë ekipi thuajse është shthurur në fushë dhe ka menduar vetëm të mbrohet. Përballë një ekipi që ka në gjirin e vet sulmues me vlerë 35 milionë euro, mbrojtja nuk është asnjëherë zgjidhja më e mirë. Dy gola në pjesën e dytë i kanë dhënë fund ëndrrës për një vend në Europian, pasi Shqipëria mbetet në kuotën e 8 pikëve, ndërsa Bosnja shkon në 10, dy më pak se Bjellorusia e vendit të dytë.

Ndeshja në Zenica ka nisur mjaft mirë për kombëtaren shqiptare, e cila e ka spostuar lojën në sulm. Boshnjakët janë parë në panik, sidomos në mbrojtje, ndërkohë që një gjuajtje e Salihit në zonë dhe një e Skelës fluturimthi, kanë trembur tifozët e Zenicës. Xheko dhe Misimoviç kanë rrezikuar për Bosnjen, por vetëm kaq, pasi Shqipëria ka bllokuar gjithçka. Por, në pjesën e dytë, dalja e Erjon Bogdanit nga fusha ka ndryshuar komplet lojën.

Kuzhe e ka tërhequr ekipin në mbrojtje dhe Bosnja është zhvendosur e gjitha në gjysmëfushën tonë. Pas një momenti hutimi, në minutën e 67-të, Medunjanin gjendet i lirë në zonë dhe arrin të mposhtë Samir Ujkanin, duke i dhënë avantazhin e merituar skuadrës vendase. Edhe pas këtij momenti, loja e kuqezinjve ka qenë e paqartë, ndërsa kartoni i kuq i marrë nga Andi Lila 4 minuta para fundit, ka prishur gjithë planet.

Në minutën e parë shtesë, një kundërsulm i shpejtë i boshnjakëve është finalizuar nga Maletiç, që ka mposhtur Ujkanin për herë të dytë. Pas këtij takimi, Bosnja ngjitet në vendin e tretë, në kuotën e 10 pikëve, 3 më pak se Franca dhe 2 më pak se Bjellorusia. Ndërsa Shqipëria mbetet në vendin e parafundit me 8 pikë, po aq sa Rumania.
(e.m/A./Latifi/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Kombëtarja i jep fund ëndrrës, humbje e rëndë në Zenica

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›