Kryeministri i ri grek, Papandreu në Turqi
Kryeministri i ri i Greqisë ka mbërritur dje në Stamboll në kuadër të një takimi informal të disa ministrave të vendeve ballkanike. Ky ka qenë dhe udhëtimi i parë i tij jashtë Greqisë në pozicionin e ri. Jorgo Papandreu i cili mban gjithashtu edhe postin e ministrit të Punëve të Jashtme do të jetë i pranishëm në takimin e të premtes, në rolin e tij si ministër i Jashtëm. Papandreu do të bëjë takimin e parë zyrtar si Kryeministër në Qipro më 19 tetor. Kryeministri Papandreu arriti kuotat më të larta të miqësisë midis Greqisë dhe Turqisë gjatë kohës që ai shërbente si ministër i Jashtëm në vitet 1994-2004. Sipas axhendës së publikuar pritet që ai të takojë Kryeministrin Rexhep Taip Erdogan dhe ministrin e Jashtëm Ahmet Davutoglu për të diskutuar lidhur me disa çështje që prekin të dy vendet fqinje. Me këto takime Papandreu pretendon të rifillojë dhe njëherë përpjekjet për një bashkëpunim të frytshëm me Turqinë dhe për një fqinjësi pa konflikte, ndryshe nga sa përkufizohet shumicën e rasteve marrëdhënia mes dy shteteve.