E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu komenton “abuzimin” malazez

 

Presidenti kosovar Fatmir Sejdiu gjatë vizitës së tij të djeshme në komunën e Pejës është shprehur se kufijtë e Republikës së Kosovës janë të ditur dhe këta kufij janë të njohur ndërkombëtarisht. Sipas mediave kosovare Sejdiu është shprehur se për autoritetet  është e papranueshme çdo qasje e kujtdo qoftë që në një formë apo tjetër ka qëllimin e lëvizjes së kufirit. Këtë koment kreu i Kosovës e ka bërë si rezultat i “incidentit” të ndodhur në brezin kufitar të Kullës, ku nga autoritetet malazeze është vendosur tabela me mbishkrimin “Mirë se vini në Malin e Zi” thellë në territorin e Kosovës. “Ne dëshirojmë që të kemi marrëdhëniet më të mira me Malin e Zi dhe ato janë dëshmuar në ecje praktike të deritashme”, tha presidenti Sejdiu, duke shtuar se organet kompetente që merren me çështjen e shënimit të kufijve ndërshtetërorë apo vendkalimeve të rëndësishme kufitare, që janë të nevojshme për komunikimin e qytetarëve dhe të mallrave, do ta bëjnë punën si duhet. “Kosova i ka kufijtë e vet të qartë dhe nëse ka ndonjë ngatërresë të vogël në kuptimin e pretencës së dikujt, jashtë asaj që është normale në relacionet ndërshtetërore, sigurisht që do të ketë përgjigjen e vet”, vijoi Sejdiu. “Për ne me rëndësi është që edhe Mali i Zi edhe Kosova kanë miqtë e përbashkët. Të dy vendet janë tepër të interesuara të lëvizin shpejt në proceset ne integrimeve euroatlantike dhe të dy vendet në bashkëpunimin rajonal kanë pjesën e bashkëpunimit të tyre”, tha ai. Gjatë ditës së djeshme, presidenti Sejdiu, i shoqëruar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, ka vizituar Komunën e Pejës, ku nga kryetari i komunës, Ali Berisha është informuar lidhur me zhvillimet në këtë komunë, me problemet dhe me arritjet e pushtetit lokal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›