E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja, tre emra VIP për pankinën

Altin Latifi, Gazeta Shqiptare
Natyrisht që cdo skuadër që do të shihte emrin e tyre do të dëshironte t'i kishte në pankinë. Uli Shtilike, Ari Han dhe Xhixhi Kanji, janë tre emrat më të rinj për pankinën e ekipit kombëtar. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë presidentit të FSHF-së Duka, sipas të cilave, këta tre teknikë janë të fundit që janë futur në kandidaturat për të marrë drejtimin e Shqipërisë. Uli Shtilike është padyshim më i preferuari, por për trajnerin gjerman, duhet të pritet mbarimi i kontratës me Bregun e Fildishtë në muajin shkurt. Ndërkohë që nuk është as shumë i shtrenjtë, duke qenë se mund të pranojë edhe për 250 mijë euro. Ndërsa një tjetër emër i madh është ai i italianit Xhixhi Kanji, i njohur për temperamentin e fortë dhe për drejtimin e skuadrave të vogla. Duke qenë një teknik i "rrahur" me pankinat e Serisë A, Kanji ka një kosto të lartë, por edhe në këtë rast diskutimet në tavolinë mund të sjellin zhvillime të larta. Ndërsa holandezi Ari Han, nënkampion bote me Holandën, mbetet një emër aspak për t'u nënvlerësuar. Në të shkuarën ka drejtuar skuadra si Fejnord, Anderleht, Shutgart apo dhe kombëtaret e Kinës e të Kamerunit. Shkurt, me shumë eksperiencë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›