E Diel, 1 Nëntor 2026

“Komisariati i Ersekës të marrë masa më të mira për gratë dhe të miturit”

03/04/2009  Avokati i Popullit dërgon inspektorët në policinë e qytetit juglindor

TIRANË – Avokati i Popullit nëpërmjet inspektorëve të tij ka mbërritur deri në Ersekë, për të parë nga afër kushtet në dhomat e komisariatit të policisë ku mbahen të shoqëruarit dhe të ndaluarit për vepra të tjera penale. Avokati i Popullit i drejtohet ministrit të Brendshëm, drejtorit të policisë së qarkut Korçë dhe shefit të komisariatit të Ersekës për të marrë masa në lidhje me disa probleme që ekzistojnë në këtë komisarit. Megjithëse qytet i vogël, sipas Avokatit të Popullit, problematikat janë ndeshur pavarësisht përpjekjeve për t’i minimizuar. Inspektimi është kryer në datë 04.03.2009. Në këtë komisariat policie sipas të dhënave rezulton se ka tre dhoma shoqërimi, të cilat ndodhen në katin e parë të godinës së komisariatit. Njëra dhomë ishte me dimensionet 4x3 m2, me derë duralumini me xham, me tavolinë, me stol, e lyer, e pastër, por nuk kishte dritare. Kjo dhomë përdoret për personat e shoqëruar madhor. Dhoma që përdorej për femrat ishte me dimensione 3x2.2 m2, me derë duralumini me xham, me tavolinë, tre stola, me ndriçim nga rrjeti, e lyer, e pastër, por pa dritare. Dhoma që përdorej për të mitur ishte me dimensione 4x3 m2, me dritare me dimensione 1.20x1.40cm nga e cila sigurohej ndriçim normal, me derë duralumini me xham, me tavolinë, dy karrige, me ndriçim nga rrjeti dhe e pastër. Në këtë komisariat policie nuk është bërë rikonstruksion dhe se këto ambiente janë përshtatur dhe mirëmbajtur nga vet punonjësit e këtij komisariati. Dhomat për të shoqëruarit, si nga përmasat, ndriçimi i rrjetit, orenditë, për mbajtjen e personave të shoqëruar janë dhoma shoqërimi, pasi plotësonin kubaturën e nevojshme, por nuk ishin të konceptuara sipas standardeve të përcaktuara në ligj. Në dhomat ku mbahen femrat dhe të miturit duhet të hapen menjëherë dritare, të bëhet rikonstruksioni i tyre me parametra të kohës si dhe të parashikohet mundësia e tualetit brenda këtij ambienti. Në momentin që është kryer inspektimi nuk ka patur shtetas të shoqëruar, por nga biseda me drejtuesit e këtij komisariati, sipas Dobjanit, kjo masë shoqërohet gjithmonë me një sërë shqetësimesh nga ana e drejtuesve të policisë, pasi ata nuk dispononin efektiv lidhur me këtë shërbim.

Kërkesat e avokatit

1. Në dhomat ku mbaheshin femrat dhe të miturit duhet të hapeshin menjëherë dritare, të bëhej rikonstruksioni i tyre me parametra të kohës si dhe të parashikohej mundësia e tualetit brenda këtij ambienti.

2. Të kërkohet nga oficerët e Policisë Gjyqësore, të cilët bëjnë arrestime dhe ndalime që të respektohen me korrektesë dispozitat ligjore të K. Pr. Penale lidhur me shënimin në procesverbal të çastit (orës së saktë) të arrestimit apo ndalimit të shtetasve dhe të mos trajtohen ata fillimisht si të shoqëruar.

3. Të merren masa, që në librat e shoqërimit, ndalimit apo arrestimit të shtetasve të hapen rubrika për njoftimin e familjarëve dhe avokatit mbrojtës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›