Pas kapjes me drogë, gjendet arsenal armësh në banesën e “Drumbas”
Kapja me drogë, ndërkohë që në pronësi iu gjetën dy kallashnikovë dhe disa fishekë, shtyu policinë e Gjirokastrës të ushtrojë një kontroll në banesën e Fatmir Jasharit, i njohur me pseudonimin “Drumba”. Gjatë kontrollit të kryer në shtëpinë e të ndaluarit para 5 ditësh për trafik droge, duke transportuar 50 kg marijuanë, policia sekuestroi një arsenal të madh armësh. Uniformat blu sekuestruan 3 automatikë kallashnikovë, 2 kilogramë tritol, 680 kapsolla detonatore, 50 metra fitil ndezës dhe 1580 fishekë model 56. Kështu në vijim të operacionit të koduar “Rrëshqitja”, të zhvilluar gjatë orëve të mbrëmjes së datës 29.03.2009, nga ana e specialistëve dhe agjentëve të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, ku u sekuestruan 2 armë zjarri, rreth 50 kilogramë marijuanë dhe u arrestuan në flagrancë dy autorët, Izet Boçka dhe Jashari, në aksin rrugor Gjirokastër–Muzinë, ka vijuar puna për zbardhjen e plotë të këtij trafiku. Nga puna hetimore dhe informacionet e marra në rrugë operative, specialistët dhe agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ushtruan një kontroll të imtësishëm në banesën e Jasharit me pseudonim “Drumba”. Si rezultat i këtij kontrolli u arrit që në një nga ambientet e banesës së këtij shtetasi, të zbulohej një arsenal armësh luftarake të fshehura, përveç dy armëve që iu sekuestruan gjatë natës së 29 marsit. I ndaluari mbante të fshehura 3 armë zjarri automatike tip kallashnikovë, 2 kilogramë tritol, 680 kapsolla detonatore, ku 50 copë ishin të montuara me fije teli, 50 metra fitil ndezës, 1500 fishekë model 56 (automatiku) dhe 6 krehra automatiku me fishekë. Ndaj Jasharit, i cili ndodhet në qeli ku akuzohet për kryerjen e veprës penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, Prokurorisë e Rrethit të Gjirokastrës i kaluan materialet për një tjetër vepër penale, atë të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.
Kapja e drogës
Në mbrëmjen e datës 29 mars, agjentët e policisë së Qarkut të Gjirokastrës kishin marrë informacione në rrugë operative, për një sasi droge që pritej të nisej nga Lazarati për në drejtim të Sarandës, për të vazhduar më pas drejt territorit grek. Nisur nga kjo, specialistët dhe agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër zhvilluan një operacion të koduar “Rrëshqitja”, ku në shpatin e malit të Muzinës mbi fshatin Grapsh të rrethit Gjirokastër në një përrua u arrit të kapej shtetasi Izet Boçka, lindur dhe banues në fshatin Kopaçes të rrethit Delvinë (i dënuar më parë në vitin 2003 me një vit burg për vjedhje dyqani), i cili po transportonte dy çanta të mëdha të mbushura me lëndë narkotike të llojit marijuanë. Sipas policisë, ky shtetas i kishte marrë këto çanta në anë të rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë, pranë varrezave të fshatit Grapsh dhe nëpërmjet shpatit të malit do t’i çonte ato në afërsi të qafës së Muzinës në rrugën automobilistike. Më pas, lënda narkotike do të transportohej nga shtetasi Fatmir Jashari, banues në Sarandë (i dënuar më parë me 2 vjet burg në Greqi në vitin 2002), me automjetin e tij tip “Benz 190” me targa SR 2757 B deri në qytetin e Sarandës. Pas dy orësh, punonjësit e policisë vunë në pranga 37-vjeçarin me pseudonimin “Drumba” në vendin e quajtur “Qafa e Muzinës”. Nga hetimet paraprake, dy të arrestuarit për të shmangur postbllokun e policisë në vendin e quajtur kthesa e fshatit Jorgucat, në aksin rrugor Jorgucat-Muzinë, tentuan ta realizonin transportin e kësaj lënde narkotike nëpërmjet shpatit të malit, duke devijuar këtë postbllok. Në çantat e kapura kishte pako të mbështjella me letër natriban të mbushura me lëndë narkotike (rreth 25 kilogramë secila çantë), gjithsej rreth 50 kilogramë dhe në njërën çantë një armë zjarri tip kallashnikov. Gjatë kontrollit fizik që iu bë shtetasit Izet Boçka, iu gjet edhe një armë tjetër zjarri, tip pistoletë e markës “TT”, të cilën e mbante në brez. Të dy të arrestuarit u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, ndërkohë që policia vazhdoi hetimet në lidhje me këtë trafik.
Arsenali i bllokuar
3 armë zjarri automatike tip kallashnikovë
2 kilogramë tritol
680 kapsolla detonatore
50 copë ishin të montuara me fije teli
50 metra fitil ndezës
1500 fishekë model 56 (automatiku)
6 krehra automatiku me fishekë