E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë; Kapen me dollarë e euro false, ndalohen tre persona



Policia e Tiranës arrestoi tre persona, të cilët u kapën me 2.000 dollarë dhe 1.250 euro të falsifikuara. Sektori Kundër Krimit–Financiar në Policinë e Tiranës ka arritur të finalizojë një superoperacion të suksesshëm i koduar “Euro Bank”, duke sekuestruar një shumë parash në valutë dollarë e euro dhe vendosën në pranga shtetasit Hasan Dardha, 24 vjeç, banues në Tiranë, Altin Plaku, 23 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, Hekuran Curri, 25 vjeç, banues në Tiranë. Tre të ndaluarit u kapën në afërsi të “Rrugës së Kavajës”, në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3 dhe Nr. 6. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit Ervis Dardha, iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma e parave prej 2.000 USD, të prerjes 100 USD, të falsifikuar. Sipas burimeve policore, nga puna e kryer rezultoi se këtë shumë dollarësh të falsifikuar shtetasit Ervis Dardha ia kishin dhënë paratë me qëllim për t’i këmbyer shtetasit Altin Plaku dhe Hekuran Curri. Po ashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Altin Plaku, iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 1250 euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Sipas policisë, të ndaluarit akuzohen për konsumim të veprave penale të “falsifikimit të monedhave”, vepër e cila parashikohet nga nenet 183/1/2 dhe 25 të Kodit Penal. Policia po punon për thellimin e mëtejshëm të hetimeve apo identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›