E Diel, 1 Nëntor 2026

Antikorrupsioni, Kryeprokurorja zgjeron zyrat në rrethe

03/04/2009  Përveç buxhetit financimi, nga një fond special i organizatës amerikane të USAID-it

Task-Forca me objektiv të qartë kapjen e të korruptuarve në administratë

TIRANE- Kryeprokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, gjatë mandatit të saj 5-vjeçar, duket se do i kushtojë më shumë vëmendje luftës kundër korrupsionit. Për këtë qëllim numri një i akuzës shqiptare në bashkëpunim edhe me përfaqësuesit e organizatës së USAID-it, kanë planifikuar që në muajin shtator të këtij viti të hapin 6 zyra antikorrupsion në qytetet më të mëdha të vendit. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë organit të akuzës shqiptare, të cilat thanë se përhapja e njësive hetimore Task-Forcë, fillimisht do kryhet në qytetet: Korçë, Gjirokastër, Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Fier. Mësohet se këto qytete kanë problematikën më të madhe në fushën e krimit ekonomik, si falsifikimit të dokumenteve, korrupsionit dhe abuzimeve të tjera me natyrë të tillë. Mirëpo përkundër kësaj nisme pozitive duket se janë disa probleme, të cilat mund të sjellin peripeci në plotësimin e zyrave me prokurorë, pasi jo më larg se disa muajsh Komisioni i Ligjeve në Parlament, rrëzoi kërkesën e Kryeprokurores Ina Rama, për shtimin e administratës së prokurorëve me 15 të tillë. Përtej këtij mosaprovimi, shkojnë drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët argumentojnë se plani për shtimin e njësive Task-Forcë nëpër rrethe nuk do të kryhet vetëm nga buxheti i organit të akuzës, por edhe nga një fond special i organizatës amerikane të USAID-it. Nuk dihet me saktësi se sa është shuma konkrete e këtij fondi financiar, por burimet tregojnë se ai shërben për vënien në punë të 6 njësive që do të kryejnë hetimin e veprave penale me natyrë korruptive dhe ekonomike. Megjithë ndihmesën e përfaqësuesve të USAID-it, Prokuroria e Përgjithshme nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj, për shtimin e administratës me 15 prokurorë të rinj. Burimet thanë se në takimin e ardhshëm me anëtarët e Komisionit të Ligjeve, do kërkohet përsëri shtimi i numrit të prokurorëve me 15 veta. Ndërkohë që shembull për “instalimin” e njësive hetimore Task-Forcë në 6 prokuroritë e rretheve është marrë zyra atikorrupsion që ndodhet në Prokurorinë e Tiranës. Nën drejtimin e prokurorit Altin Dumani kjo zyrë ka dhënë mjaft rezultate pozitive në parandalimin dhe goditjen veprave penale me natyrë korruptive. Që prej datës 10 shtator 2007 prokurorët e kësaj njësie kanë mundur të arrestojnë shumë persona të administratës publike si dhe individë të tjerë që kryenin aktivitet kriminal.

Gjashtë qytetet

1. Korça

2. Fieri

3. Gjirokastra

4. Vlora

5. Durrësi

6. Shkodra

15 prokurorë nevojiten

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›