E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Pango, i gatshëm të dëshmojë në Prokurori për skandalin

03/04/2009  Organi i akuzës mori një kërkesë nga ish-ministri. Hetimet në vend numëro

TIRANE- Procedimi penal që ka filluar nga Prokuroria e Përgjithshme për hetimin e të ashtuquajturit “Skandali Pango” duket se ka mbetur në vend numëro, por vetë Pango dhe avokati shprehen të gatshëm të dëshmojnë. Përveç veprimeve të sekuestrimit të kasetës në emisionin “Fiks-Fare” dhe transkriptimit të bisedave midis Pangos dhe vajzës, organi i akuzës gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor mbi çështjen në fjalë. Specialistët e grupit hetimor kanë bërë disa analiza, por secila prej tyre nuk ka nxjerrë konkluzione dhe prova të qarta, për të vendosur përpilimin e kërkesës së heqjes së imunitetit të deputetit Ylli Pango. Ndërkohë që përkundër kësaj strategjie, vetë profesori i psikologjisë ka shfaqur pak kohë më parë gatishmërinë e tij për t’u marrë në pyetje nga ekspertët e Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo bëhet e ditur nga avokati Ardian Leka, i cili ka pohuar se së bashku me ish-ministrin Ylli Pango, kanë kërkuar që ky i fundit të japë deklarimet e tij mbi rrethanat e ngjarjes.

Kërkesa e Pangos

Mësohet se nëpërmjet një kërkese me shkrim drejtuar Kryeprokurores Ina Rama, deputeti Ylli Pango i ka ofruar asaj gatishmërinë e tij për t’u paraqitur në çdo moment në Prokurori, në mënyrë që të dëshmojë mbi situatën e përgjuar nga emisioni televiziv “Fiks-Fare”, në të cilin ai shfaqet duke tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një vajzë. Kjo kërkesë është protokolluar nga punonjësit e organit të akuzës, por deri më tani Prokuroria nuk ka thirrur për të dëshmuar vullnetarisht deputetin Ylli Pango. Për shkak të mbajtjes sekret të çdo informacioni, nuk dihet me saktësi se cila është arsyeja e mosmarrjes së një vendimi konkret nga Prokuroria për procedimin penal që ajo filloi për skandalin “Pango”. Ndërkohë që burime pranë akuzës shprehen se çështja në fjalë do të kishte interes atëherë kur kallëzimi të ishte kryer nga vetë vajza që kërkonte punë. Sipas tyre, kaseta me pamjet filmike dhe bisedat e përgjuara nuk kanë asnjë vlerë për Prokurorinë, pasi specialistët e kësaj të fundit janë të vetëdijshëm që kjo provë e administruar në dosje, rrëzohet gjatë procesit gjyqësor. Hetimi i këtij procedimi filloi menjëherë pas transmetimit të disa pamjeve filmike në emisionin “Fiks-Fare”.

Ikën vajza

Vajza që realisht ka shkuar në zyrën e ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, të kërkojë punë është larguar tek të afërmit e saj që ndodhen në shtetin grek. Këtë e bëjnë të ditur burimet pranë organit të akuzës shqiptare, të cilat theksojnë se deklarimet e saj do të ishin tepër vendimtare për procedimin penal. Si pasojë e mungesës së versionit real të vajzës, Prokuroria e Përgjithshme është detyruar të regjistrojë procedimin vetëm për veprën penale dhe jo për emra konkretë. Kuptohet që në këtë procedim personi i dyshuar është deputeti Ylli Pango, i cili ka shfaqur gatishmërinë e tij për t’u marrë në pyetje nga hetuesit e Prokurorisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›