Një nismë mes shkupit dhe Beogradit
07/02/2005 Fëmijët e atyre që luftuan kundër shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni, pushojnë bashkë në Pelister dhe në Tara Një organizatë joqeveritare e Shkupit, e quajtur “Ambasada e gjithë fëmijëve të Botës”, në bashkëpunim me Kabinetin e Presidentit të shtetit të quajtur Serbia dhe Mali i Zi, ka organizuar një pushim të fëmijëve të ushtarëve të Serbisë e të Maqedonisë që kanë rënë në luftimet në Kosovë dhe në luftën e 2001-shit në Maqedoni kundër Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Për këtë projekt, që nuk është fort e qartë se me paratë e kujt do të realizohet dhe që pritet t’i afrojë fëmijët e ushtarëve serbë e maqedonas që luftuan kundër shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni, ka lëshuar një informacion edhe Agjencia e Informatave e Maqedonisë, ku thuhet se projekti do të ketë dy pjesë, të parën që do të realizohet me një pushim të 50 fëmijëve nga Serbia dhe të 80 fëmijëve maqedonas nga Maqedonia në Pelister nga 5 deri më 23 shkurt, dhe pjesën e dytë që do të realizohet nga 1 deri më 15 gusht në malin Tara në Serbi. Po kjo kumtesë e lëshuar nga Agjencia e Informatave e Maqedonisë, e transmetuar më 4 shkurt, njoftonte për atë se 50 fëmijët nga Serbia në vendkalimin kufitar në Tabanoc do të priteshin me një ceremoni shtetërore nga ministrja e Punëve të Jashtme e Maqedonisë Ilinka Mitreva, përkatësisht përfaqësuesi i saj, nga ambasadorja serbe në Shkup Biserka Matiq Spasojeviq dhe nga përfaqësues të ministrive të Mbrojtjes e të Punëve të Brendshme të Maqedonisë. Në Shkup ka më shumë komente për këtë projekt të “Ambasadës së gjithë fëmijëve të Botës” me të cilin po realizohet një afrim i fëmijëve të serbëve dhe maqedonasve që luftuan kundër shqiptarëve vitet e fundit në Kosovë dhe në Maqedoni.