Komisionerët demokratë drejt selisë blu pas përfundimit të numërimit të votave
Vëzhguesit dhe komisionerët e Partisë demokratike menjëherë pas përfundimit 6ë procesit të numërimit në KZAZ 50 në Kombinat janë nisur në drejtim të Selisë së PD për të ndjekur përfundimin e procesit të numërimit të votave, dhe për të parë se kush do të jetë partia e cila do të qeverisë Shqipërinë në katër vitet e ardhshme.
Sipas tyre ata janë lajmëruar që të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit në qendrat e numërimit të votave në Tiranë duhet të mblidhen para selisë së Partisë Demokratike për të parë përfundimin e rezultateve në të gjitha qendrat e numërimit të votave në të gjithë Shqipërinë. Një prej komisionerëve të PD deklaroi se po pret me padurim përfundimin e plotë të procesit të numërimit të votave për të marrë vesh rezultatin e shumë pritur i cili është ai i fitores së madhe të PD. Sipas saj PD e meriton që të dalë sërish fituese pasi vetëm kjo parti mund të vazhdojë mrekullinë në këtë vend. Gjithashtu ajo u shpreh e zhgënjyer me rezultatet e dala në disa qendra të vendit, duke deklaruar se PD meritonte të fitonte në disa zona sepse ka punuar shumë, por kjo nuk është marrë parasysh nga simpatizantët socialistë të cilët vazhdojnë akoma që të mendojnë vetëm për një parti dhe jo për zhvillimin e Shqipërisë.