Minoritarët ndëshkojnë Dulen për bashkëpunimin me PS, votat për Kserën

Ka përfunduar procesi i numërimit të kutive të votimit plotësisht në Qarkun e Gjirokastrës, duke nxjerrë fitues me një diferencë të konsiderueshme votash koalicionin opozitar të kryesuar nga PS. Ndonëse diferenca mes dy koalicioneve ishte e konsiderueshme, nuk mundësoi marrjen e një mandatit të katërt të pretenduar nga socialistët në Gjirokastër për shkak të formulës së pjesëtimit në bazë të pjesëmarrjes së zgjedhësve. Numërimi i votave ka përfunduar fillimisht në Përmet, ku PS doli fituese e vetme me 5920 vota kundrejt 4700 votave të vetme të PD pas numërimit të 81 kutive të votimit.
Ndërkohë që rezultat surprizues nxori PBDNJ në rrethin e Përmetit vetëm 180 vota, të cilat kanë qenë të paimagjinuara për tu marrë në nivel kaq të ulët në Përmet ku disa fshatra të komunës së Çarshovës banohen nga minoritarë grekë.Në raport me zgjedhjet e kaluara politike apo vendore, PD dhe koalicioni i djathtë qeveritar, ka pësuar një rritje gati 50% vetëm në rrethin e Përmetit çka përkthehet nga anëtarësia e thjeshtë socialiste në këtë rreth si një ndëshkim për kandidaten e përzgjedhur nga PS në Qarkun e Gjirokastrës, Arta Dade. Ndërkohë që terren mjaft të mirë ka gjetur PD në këtë rreth falë edhe drejtimit të një sërë komunave si dhe dy bashkive në rreth, Bashkinë e Përmetit dhe Bashkinë e Këlcyrës. Ndërkaq pothuajse në të njëjtat nivele PD ka marrë mbështetje edhe në Tepelenë. Në përfundim të procesit të numërimit të votave mesditën e djeshme, PS në rrethin e Tepelenës pas numërimit të 88 kutive të votimit, ka fituar 6682 vota ndërsa PD 4481 vota. Ndërsa si koalicione PS së bashku me aleatët e vet ka marrë 7380 vota kundrejt koalicionit të djathtë të drejtuar nga PD me 5370 vota. Tepelena është rrethi i vetëm në jug të vendit ku përveç një komune, të gjithë njësitë e tjera vendore drejtohen nga përfaqësuesit e PD. Në QNV në rrethin e Gjirokastrës procesi i numërimit të 119 kutive të votimit, ka përfunduar rreth orës 14:30 të së martës. PS si subjekt i vetëm ka fituar 12498 vota ndaj 9880 të PD, ndërsa forcë e tretë politike u pozicionua PBDNJ me 2260 vota. Diferenca mes dy koalicioneve të drejtuar nga PS dhe PD është mbi 4000 vota në rrethin e Gjirokastrës. Rezultati më i papritur u shënua në zonën ku jeton minoriteti grek në komunat e Dropullit dhe Pogoni. Në këto tri njësi vendore, PD doli forcë e parë me mbi 2200 vota ndërsa pasohej nga PS me mbi 1900 vota dhe PBDNJ me 1600 vota. Për herë të parë PD del forcë fituese në zonën minoritare greke qysh prej organizimit të zgjedhjeve të para shumëpartiake në 31 mars të vitit 1991. Me këtë rezultat, Spiro Ksera, ka eklipsuar direkt ndikimin e PBDNJ në zonën minoritare dhe rrjedhimisht edhe të kauzës së Dules së bashkëpunimit me PS në këto zgjedhje do ti nxirrte ata më të fituar se aleanca me PD.
Last Updated on Wednesday, 01 July 2009 01:00
Last Updated on Wednesday, 01 July 2009 01:00