Ngelën në provime, dy kushërira tentojnë vetëmbytjen
Dy kushërira kanë tentuar vetëmbytjen në det mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa ndërhyrja në kohë i ka nxjerrë jashtë rrezikut për jetën. Të miturat janë dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Durrësit, ndërsa një letër e shkruar prej tyre pak para ndërmarrjes së aktit të rëndë ka hedhur dritë mbi motivet. Policia ishte vënë në kërkim të tyre dhe me të marrë njoftim nga qytetarët për hedhjen e tyre në det, ka ndërhyrë me një operacion shpëtimi. Të martën, baballarët e vajzave, të dy nga Librazhdi dhe me banim në Shkozet të Durrësit, kishin denoncuar në polici largimin nga shtëpia të vajzave, përkatësisht E.K. 16 vjeçe dhe S.B. 17 vjeçe. Rezultatet e ulëta në mësime të shoqëruara me ngeljen në provime janë shkaku i deklaruar nga ato vetë që i ka shtyrë drejt ndërmarrjes së aktit vetëvrasës, por policia po heton përtej këtij motivi që ka tingëlluar jo fort bindës për të. Ndërkaq, burimet në spitalin e Durrësit bënë të ditur se vajzat janë jashtë rrezikut për jetën. Ato u hodhën në det nga pista e vjetër në plazhin e madh të Durrësit, pasi kishin kaluar 24 orë larg shtëpisë.
#