Qeveria qarkullon drejtorët e institucioneve në Kukës
Gjashtë muaj pas formatimit të koalicionit qeverisës PD-LSI, në Kukës janë bërë tashmë edhe ndërrimet e ndarjet e rastit të “tortës” lokale dhe rajonale. Në institucionet me varësi qendrore janë kryer ndërrimet e drejtorëve, ku sipas kompozimit të vetë koalicionit qeveritar, partitë përbërëse kanë bërë emërimet e nevojshme. Më përfituese ka qenë LSI-ja, e cila ka marrë drejtimin e degës rajonale të Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe është në tratativa për disa poste të tjerë drejtorësh rajonalë. Ndërsa mësohet se ka pretenduar edhe drejtimin e spitalit rajonal të Kukësit, dje është bërë emërimi i drejtorit të ri, Nikolin Martini, mjek pediatër, i cili ka kryer edhe detyrën e nëndrejtorit prej disa vitesh dhe vjen nga radhët e PD-së, ose të paktën është propozuar nga kjo forcë politike. Nga ana e saj, PD-ja është përpjekur të ruajë “pikat kyçe” në drejtimin e institucioneve rajonale. Ndërsa LSI-ja, sipas burimeve jozyrtare, ka pretenduar drejtimin e prefekturës edhe për faktin që posedon kuadro të provuar në këtë detyrë, si dhe drejtimin e spitalit rajonal për të shkuar në të njëjtën linjë me drejtimin e dikasterit qendror. Por në krye të institucionit të prefektit qëndron Elez Maçi, një eksponent i PD-së së Hasit. Nga ana tjetër, një ditë më parë, ish-drejtoresha e gjimnazit “Avzi Nela”, Lebibe Tota, është emëruar sekretare e përgjithshme e prefektit në vend të Rexhep Cenës, i cili ende nuk dihet se cilin institucion do të drejtojë. Në tërësi, partia në pushtet në Kukës ka ruajtur të njëjtët drejtues në krye të institucioneve me varësi të dyfishta apo të qendrës, por thjesht i ka “qarkulluar” nga një zyrë në tjetrën, si duket edhe për shkak se kanë shënuar rezultate konkrete në postin e deritanishëm. Mirëpo për të dhënë një imazh të ndryshimit në sytë e publikut, por pa humbur ndërkohë “kuadrot e provuar”, janë bërë ndërrimet e duhura. Mirdash Hoxha, ish-drejtori rajonal i Sigurimeve Shoqërore, është kaluar në krye të degës rajonale të Tatim-Taksave, ndërsa në vend të tij është emëruar V. Vata që vinte nga Tatim-Taksat. Drejtori i deritanishëm i Bujqësisë është emëruar drejtor i Ndërmarrjes Pyjore, ndërsa ai i deritanishmi pritet të shkojë drejtor i Hipotekës. Ndërsa ky i fundit pritet gjithashtu të shkojë në doganë. Të rralla kanë qenë rastet e emërimit si rezultat i ngritjes në karrierë, siç është rasti i Ylli Metalisë, i emëruar si drejtor i Drejtorisë Rajonale të Arsimit, ndërsa ish-drejtori Ibsen Elezi shkon me ngritje në krye të një institucioni në Tiranë. Përbën një risi, apo më saktë një rikthim te vlerat, siç konsiderohet në opinion, emërimi si drejtor rajonal i Drejtorisë së Bujqësisë, Arif Rexhamti, i cili për shumë vite ishte mënjanuar nga partia e tij (PD) pikërisht për mendimin ndryshe.
#