E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Opozita të tregojë përgjegjshmëri. Mundësitë e dialogut nuk kanë shteruar

Deklarata “Ka hapësira të mjaftueshme që kombinojnë transparencën dhe respektin për Kushtetutën”

Katër ditë të grevës së urisë të organizuar nga Partia Socialiste dhe aleatët e saj kanë mjaftuar për të aktualizuar deklarimet politike që lidhen me stabilitetin e vendit. Numri dy i qeverisë shqiptare, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, ka bërë thirrje dje për dialog dhe qasje institucionale ndaj kërkesave të opozitës. Ai ka apeluar sidomos në drejtim të atyre përfaqësuesve socialistë që janë jashtë grevës, duke kërkuar vlerësimin e përgjegjësive politike ndaj një situate jo të përshtatshme për momentin që kalon Shqipëria. “Do t’i ftoja edhe një herë të marrin më shumë përgjegjësi. Natyrisht, kjo duhet të ndodhë duke evituar përpjekje që kërkojnë të krijojnë barrikada të panevojshme, ndërkohë që mundësitë e dialogut jo vetëm që nuk kanë shteruar, por e theksoj, që ka hapësira të mjaftueshme duke kombinuar transparencën dhe respektin për Kushtetutën e vendit”, tha ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Ai nuk e ka bërë të qartë se cila është kjo zgjidhje që kënaq parimin e transparencës si hapje e kutive dhe respektimit të Kushtetutës që është hedhur në tryezë si kartë e fortë e shumicës. Vendosja në axhendë e kësaj formule kërkon medoemos parashtrime të hollësishme, pasi në tërësi pretendimi socialist përtej vullnetit politik ka si parakusht trajtimin e duhur juridik të çështjes. Për këtë arsye, ky propozim për dialog i ardhur dje nga numri dy i qeverisë shqiptare mund të klasifikohet si një hapje e parë e negociatave në distancë mes palëve. Meta është përpjekur ta prezantojë nevojën e dialogut si shprehje të një vullneti të mirë nga ana e qeverisë, që gjithsesi ka si nxitje kryesore zgjidhjen e situatës, por edhe fazën e integrimit ku ndodhet vendi. “Ky moment është për dialog, ky moment është për zgjidhje që vjen përmes dialogut dhe respektimit të institucioneve, sepse institucionet u përkasin të gjithëve. Në këtë drejtim, unë do të shpresoja në një reflektim dhe në mundësinë e rivendosjes së një dialogu të shpejtë për ta kaluar këtë situatë”, u shpreh Meta. Theksimi i procesit të integrimit nga ana e qeverisë, në të vërtetë përveç aspektit propagandistik që synon implikimin e opozitës, duket se tradhton një shqetësim në rritje rreth kostove politike që mund të sjellë kjo situatë. Shpërfillja fillestare po i lë vendin gradualisht angazhimit për menaxhimin e një situate që ka vendosur standarde të reja në komunikimin politik dhe në ekspozimin e shqetësimeve të një partie opozitare. Ajo që mund të perceptohet pas qëndrimeve të tanishme është fakti se asnjë prej palëve nuk duket të ketë një strategji reagimi përtej ballafaqimit të diktuar nga protesta dhe greva e urisë që përbën një akt politik të pakthyeshëm nëse nuk arrihet një rezultat konkret.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›