E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR: Mosnjohja e zgjedhjeve, dëmton imazhin e vendit

Partia Republikane i ka konsideruar deklaratat e përsëritura të Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit, si përpjekje që dëmtojnë imazhin e vendit. 

TIRANE- Partia Republikane i ka konsideruar deklaratat e përsëritura të Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit, si përpjekje që dëmtojnë imazhin e vendit.

“Cdo përpjekje e Ramës për të përbaltur zgjedhjet e 28 Qershorit , dëmton drejtpërdrejt imazhin e vendit dhe fyen qytetarinë me të cilën shqiptarët realizuan këto zgjedhje” deklaroi nënkryetari i Partisë Republikane Aleksandër Garuli gjatë një konference për shtyp.

PR thekson se rezultati i zgjedhjeve shpreh qartë se elektorati shqiptar ia ka dhënë koalicionit “Aleanca për Ndryshim” të drejtën kushtetuese për të krijuar qeverinë.

“ Rezultati i këtyre zgjedhjeve shpreh qartë se të drejtën kushtetuese për të krijuar qeverinë, elektorati shqiptar ia ka dhënë koalicionit “ Aleanca për Ndryshim” me diferencë të patjetërsueshme nga koalicioni i Partisë Socialiste. Pranimi i humbjes reale do t’i shërbente vetë Partisë Socialiste , duke i dhënë asaj statusin e një opozite konstruktive” u shpreh Garuli.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›