Organika e re e policisë Rrugore, gati firma e ministrit
Drafti për ndryshime në strukturën e policisë rrugore, tashmë është dërguar në dorë të ministrit të Brendshëm. Fakti është bërë i ditur gjatë një takimi, ku ekspertët e policisë u shprehën se janë dërguar dy projekte dhe pritet që ministri Basha të firmosë njërin prej tyre, duke sjellë kështu një ndryshim thelbësor në të gjitha strukturat e policisë rrugore. Kështu, kjo strukturë pritet të shkëputet nga drejtoritë e policisë në qarqe, me qëllim që të ketë përgjegjësi vertikale dhe kjo pritet të sjellë pakësimin e numrit të aksidenteve, si dhe ulje të trafikut rrugor. Me këtë projekt pritet të ndryshohen edhe kompetencat e punonjësve të policisë rrugore, që do të veprojnë në shkallë vendi nëpërmjet 11 njësive dhe një drejtorie. Të 12 strukturat do të varen nga një drejtori në Policinë e Shtetit.
StrukturaGjatë takimit të katërt të Bordit të Palëve të Interesuara të projektit të asistencës policore të Komisionit Europian, PAMECA III, ekspertët e policisë janë shprehur se struktura e policisë rrugore do të ndryshojë rrënjësisht, duke iu përafruar strukturës së Departamentit të Kufirit dhe Migracionit. Në lidhje me këtë, burime nga Policia e Shtetit janë shprehur se ministrit të Brendshëm, i janë dërguar dy projekte, që në thelb kanë heqjen e përgjegjësive të policisë lokale nga qarkullimi rrugor dhe përgjegjësinë e drejtpërdrejtë deri te Drejtoria e Përgjithshme. Nga të dhënat e para mësohet se në majë të piramidës do të jetë një drejtori të qarkullimit rrugor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, siç edhe është me strukturën aktuale. Por, në varësi të saj do të jenë 12 njësi, të vendosura në çdo qark. Në Tiranë, duke qenë se qarkullimi i mjeteve është shumë më i lartë, do të vendoset një drejtori rrugore, ndërsa nëpër qarqe do të ketë vetëm njësi. Funksionet për këtë strukturë do të jenë të përcaktuara qartë me përgjegjësi vertikale, duke shmangur përgjegjësitë e drejtorive të policisë në qarqe.
Kjo do të sjellë edhe ndryshimin e masave që ndërmerren nga policia rrugore. Kështu, planet e masave, sidomos për sezone turistike do të ndërmerren nga Drejtoria e Përgjithshme dhe u shpërndahen direkt njësive në qarqe dhe nuk do të bëhen më masat nga çdo drejtor policie qarku, siç veprohej më parë. Gjithashtu, edhe në raste abuzimesh, përgjegjësia do të jetë direkt te punonjësit e policisë rrugore, qoftë të çdo niveli, duke shmangur përgjegjësinë e strukturave të rendit, apo edhe të urdhrave të eprorëve të tjerë. Siç dihet, me këtë strukturë, efektivët e policisë rrugore marrin urdhra si nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, ashtu edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, duke dubluar funksionet.
KundërshtitëKjo strukturë, që do të sjellë edhe ndryshimin thelbësor në policinë rrugore, pritet të miratohet nga ministri i Brendshëm. Në takimin e djeshëm, ai ka deklaruar se kjo do të vlerësohet me kujdes dhe në bashkëpunim edhe me drejtorët e policisë në qarqe. Ai tha se do mbledhë drejtorët e policisë për propozime konkrete sesi mund të zgjidhjet kjo situatë, pasi si shifrat e aksidenteve, ashtu edhe trafiku rrugor, janë tejet shqetësuese. Në lidhje me aksidentet rrugore, sipas krahasimeve të kryera rezulton se në Tiranë numri i aksidenteve është tetë herë më i lartë se në kryeqytetet e tjera dhe fushatat nuk kanë qenë aq të suksesshme për sensibilizimin e njerëzve.
Sipas të dhënave nga ekspertët e policisë, mendohet se policia rrugore të jetë një shembull i ndjekur siç është Departamenti i Kufirit dhe Migracionit. Aktualisht, Policia e Qarkullimit Rrugor funksion ndryshe. Sipas të dhënave, Drejtori të Policisë Rrugore ka vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe varet direkt nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Departamentin e Sigurisë Publike. Nga kjo drejtori varen sektori i qarkullimit dhe sigurisë publike dhe sektori i planifikimit dhe analizës. Sipas detyrave, kjo drejtori realizon menaxhimin e strukturave qendrore e vendore për rritjen e standardeve të sigurisë në rrugë, mbarëvajtjen e trafikut, parandalimin e aksidenteve rrugore, kryerjen e hetimeve të aksidenteve rrugore, si dhe bashkëpunon me komunitetin për rritjen e sigurisë në rrugë. Ndërkaq, nga kjo strukturë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka një shkëputje deri te strukturat bazë. Kështu, veç Tiranës, e cila ka komisariat të policisë rrugore, në të gjitha qarqet e tjera, shërbimet e qarkullimit rrugor janë në nivelin e sektorit. Madje, policia rrugore ka varësi dyfishe. Këtë varësi e kanë nga drejtori i Policisë së Qarkut, por edhe nga drejtori i Drejtorisë së Policisë Rrugore. Megjithatë, kjo strukturë nuk ka sjellë efektet e duhura për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e performancës. Në këto kushte, është menduar që struktura të ndryshohet. Por ndryshe nga shembulli i ndjekur si për kufirin, policia rrugore nuk do të ketë departament. Ajo do të ketë drejtoritë rajonale në qark, por do të varen sërish nga Drejtoria Qendrore në Policinë e Shtetit dhe kjo drejtori do të varet nga Departamenti i Sigurisë Publike.
#