E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS e aleatët, bojkot 15 nëntorit

 

BLEDAR HOTI

Partia Socialiste dhe aleatët e saj nuk regjistrohen në KQZ në zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit. Dje në orën 24:00 ishte afati i fundit i depozitimit të kërkesave nga ana e partive politike që duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme në 5 njësitë e qeverisjes vendore. Sipas burimeve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më tani ishin regjistruar Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia e Punës së Rinovuar. Ndërsa në këto zgjedhje regjistrohet edhe Partia për Drejtësi dhe Integrim. Për demokratët e vetmja parti opozitare në këto votime të 15 nëntorit pritet të jetë Partia e Punës, pasi të majtët e rreshtuar përkrah PS-së pritet të mos hyjnë në zgjedhje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte caktuar me një vendim të posaçëm që për zgjedhjet e pjesshme në njësinë bashkiake 10 të Tiranës, bashkinë Klos, komunën Otllak, komunën Fierz dhe bashkinë Fushë-Arrëz, datën 11 tetor, si afatin përfundimtar për regjistrimin e partive politike që do të marrin pjesë në këto zgjedhje. Por meqë kjo datë ishte e diel, KQZ-ja e shtyu më 12 tetor atë. Qëndrimi i kreut të Partisë Socialiste ishte për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale, për shkak të kërkesës për hetimin e 28 qershorit dhe rinumërimit të fletëve të votimit. Ky qëndrim bojkoti do të ndiqet edhe nga aleatët e saj G-99, PBDNJ-ja, PSD-ja dhe PDS-ja. Këto subjekte zgjedhore nuk janë regjistruar ende në KQZ për të marrë pjesë në këto votime. Ndërsa mospjesëmarrjes në votimet e 15 nëntorit mësohet se do t’i bashkëngjiten edhe partitë e djathta, si Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Partia Demokristiane. “Ne si LZHK kemi vendosur që të mos marrim pjesë në këto votime. Ato parti të vogla që janë regjistruar i ka futur kreu i PD-së, Berisha, për ta bërë procesin e besueshëm të 15 nëntorit”, deklaroi mbrëmë kreu i kësaj force politike, Dashamir Shehi. Edhe kryedemokristani Nard Ndoka deklaroi për “Panorama”, se nuk do të hyjë në zgjedhjet e 15 nëntorit. “Ne si PDK nuk do të marrim pjesë në këto zgjedhje. Arsyeja është se ne kemi kërkuar që të hapen kutitë e votimit për zgjedhjet e 28 qershorit, për të hetuar manipulimin e kryer nga ana e PD-së për zgjedhjet e përgjithshme. Pa u realizuar ky proces nuk do të marrim pjesë në zgjedhje”, deklaroi Ndoka për “Panorama”. LZHK-ja dhe PDK-ja i janë bashkangjitur kërkesës së PS-së për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit. Këto subjekte mbështetën dhe protestën e zhvilluar nga opozita e majtë, pavarësisht se nuk morën pjesë në të.

Partite qe u paraqiten ne KQZ

Partia Demokratike Lëvizja Socialiste për Integrim Partia e Punës së Shqipërisë e Rinovuar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›