Kutitë, Topalli: Pres projektligjin e PS
ADI SHKEMBI
Kryetari i senatit kanadez dhe kryeparlamentarja Topalli i kanë bërë thirrje PS-së të rikthehet në Parlament. Gjatë një konference për shtyp, dy zyrtarët e lartë thanë se Kuvendi është vendi ku duhet folur, teksa kreu i Kuvendit shqiptar ka garantuar se opozita do të gjejë hapësirat e nevojshme për iniciativat që do të ndërmarrë. E pyetur nga mediat mbi hartimin e një projektligji nga ana e PS-së, për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, Topalli tha se çdo nismë ligjore e mbështetur në kushtetutë do të respektohet nga Kuvendi. “Edhe një herë duke ju përgjigjur pyetjes suaj, si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, pres që opozita në vijë në Parlament, pres deputetët e zgjedhur nga shqiptarët, që i kanë ngarkuar detyrën e rëndësishme, që të bëjnë misionin e opozitarit, që të jenë të pranishëm në Parlament. Ata do të kenë të gjitha hapësirat që lejon kushtetuta, ligji dhe gjithë fleksibilitetin e Kryetares së Parlamentit për t’i respektuar në detyrën e tyre. Padyshim çdo iniciativë kushtetuese do të shqyrtohet në Parlament. Po unë mendoj që edhe aty kishte rrugë për këtë nismë”. Por në të njëjtën kohë, Kryetarja e Parlamentit i ka kujtuar kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, një prej dispozitave të Kushtetutës që lejojnë ndërmarrjen e një nisme ligjore nga një deputet i vetëm, pa qenë nevoja për mbledhjen e 20 mijë firmave. “Ju e dini që në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit nuk ka nevojë që t’i lodhin fare shqiptarët. Mjafton iniciativa e një deputeti për t’u shqyrtuar në Parlament. Rrugët kushtetuese, rrugët ligjore respektohen në Parlament”, u shpreh më tej Topalli. Nga ana e tij kryetari i Senatit të Kanadasë, Noel Kinsella theksoi se Kuvendi është pikërisht vendi ku duhet folur. “Ne përdorim fjalën Parlament, e cila vjen nga gjuha frënge parlè, që do të thotë “me fol”. Një nga kushtet për të folur është prania në Parlament. Si Kryetar parlamenti unë inkurajoj të gjithë anëtarët e tij të vijnë dhe të flasin në Parlament”, tha kreu i senatit kanadez. Gjatë takimit mes dy delegacioneve, që u parapri nga takimi kokë më kokë, Kryeparlamentarja vlerësoi nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike. Ndërsa kreu i senatit kanadez u ndal në bashkëpunimin mes dy parlamenteve, ndërkohë që një rëndësi të veçantë iu dha edhe projektit të bashkëpunimit në fushën e edukimit, përmes shkëmbimit të studentëve, profesorëve dhe bursave për studentët shqiptarë. Kinsella u takua në mesditë edhe me Presidentin Topi, Kryeministrin Berisha dhe Ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. Kreu i shtetit ftoi investitorët dhe bizneset kanadeze për investime të mëtejshme në Shqipëri, duke vënë në dukje se për këtë ekziston baza e nevojshme ligjore dhe klima shumë e përshtatshme. Kurse Kryeministri Berisha theksoi se Tirana zyrtare ka prioritet luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërsa kreu i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, i kërkoi senatorëve kanadezë të përdorin influencën e tyre me ato vende që nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës.