Komisionet shtyjnë Metodikën e pronave
31/03/2005 Komisioni parlamentar i Bujqësisë dhe ai i Ekonomisë kanë shtyrë dje diskutimin për Metodikën e vendosjes së çmimit të pronave. Burimet kanë bërë të ditur se shkak për këtë është dhënë vizita e Presidentit të Hungarisë për një vizitë dyditore në Shqipëri. Megjithatë është bërë e ditur se Komisioni i Bujqësisë ka kërkuar që drafti të mos kalojë për miratim në seancën plenare të datës 31, pasi ka një sërë pikash që duhet të sqarohen. Gjithashtu, duke parë dhe zhvillimet në Komisionin e Ekonomisë, nuk pritet një votim i shpejtë i projektligjit, pasi do të pritet dhe një reagim i qeverisë mbi faturën financiare, që do të ketë për kompensimin e ish-pronarëve. Duket se Metodika e paraqitur nga Komiteti Shtetëror i Kthimit të Pronave do të mbetet dhe një kohë të gjatë në diskutimet e komisioneve parlamentare.