E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-LZHK formulë bashkëpunimi

31/03/2005  Maksim Begeja tha se mes kandidatëve në rrethe do të ketë marrëveshje xhentëlmenësh

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar nuk do të mbështesë forcat e majta

Kryetari i Grupit parlamentar të LZHK-së, Maksim Begeja, tha dje për “Metropol” se aleanca parazgjedhore mes lëvizjes së drejtuar nga Leka Zogu dhe PD-së do të jetë një marrëveshje “xhentëlmenësh” mes kandidatëve në zona të ndryshme të vendit. Begeja u shpreh se kandidatët e dy forcave politike do t’i adresojnë sulmet e tyre politike vetëm në adresë të kundërshtarit, por jo kundër njëri-tjetrit. Sipas tij, kjo do të bëhet me qëllim që të mos ketë rrjedhje votash nga e djathta drejt së majtës.

Begeja

Pavarësisht se partitë anëtare të LZHK-së deklarojnë se nuk do të ketë aleanca parazgjedhore me PD-në, duket se format e bashkëpunimit nuk kanë shterur mes dy forcave politike të djathta. Atje ku influenca e LZHK-së do të ketë superioritet, në zonat e Dibrës apo të Matit, dhe votat e opozitës aktuale do të shkojnë drejt lëvizjes së drejtuar nga Zogu. Skema e bashkëpunimit do të jetë e tillë që të mos lejojë në asnjë mënyrë fitoren e kandidatit të së majtës. “Ne do të kandidojmë në 100 zona elektorale më vete dhe do të synojmë kryesisht votat e proporcionalit. Natyrisht, qëllimi ynë kryesor është fitorja e opozitës në zgjedhjet e ardhshme dhe në të 100 zonat do të ekzistojë mes vetë kandidatëve të të dy krahëve një marrëveshje “xhentëlmenësh”. Pra, deputetët do t'i kërkojnë njëri-tjetrit që kryesisht të përqëndrohen në sulmet ndaj kundërshtarëve tanë natyral, që janë të majtët, dhe të mos ketë rrjedhje votash nga e djathta. Mos harrojmë se mundësia që forcat politike të majta të bashkohen me njëra-tjetrën mbetet akoma shumë e madhe dhe në këtë rast është opozita ajo që dëmtohet”, tha Begeja. Sipas tij, në këto zgjedhje fitorja e opozitës është e domosdoshme për integrimin e vendit.

Bode

Nga ana e saj Partia Demokratike, nuk është shprehur kundër një bashkëpunimi mes saj dhe LZHK-së. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ritvan Bode, tha para pak kohe se partia, në të cilën ai aderon, është e hapur për bashkëpunim me të gjithë spektrin politik të djathtë, pa përjashtuar edhe Lëvizjen e drejtuar nga Leka Zogu, e cila në pjesën dërrmuese të saj përbëhet nga parti ish-aleate të PD-së. “Ne jemi të hapur për bashkëpunim me çdo parti të spektrit opozitar, por në rast se ato vendosin të dalin më vete, atëherë ajo është zgjedhje e tyre”, tha Bode. Nga ana e tij, edhe lideri demokrat Berisha pas disa sulmeve që ndërmori kundër kreut të lëvizjes, Leka Zogu, për shkak të disa deklaratave të këtij të fundit për bashkëpunim me socialistët, duket se i ka lënë mënjanë akuzat ndaj LZHK-së, për t'u përqëndruar në sulmet ndaj mazhorancës socialiste. Gjithashtu, krerët e LZHK-së kanë pohuar se do të bashkëpunojnë me PD-në pas zgjedhjeve në rast se kësaj partie do i duhen votat e LZHK-së për të formuar qeverinë.

Konfirmohet aleanca me PR dhe PDR

Partia Demokratike deri tani ka konfirmuar aleancën e me Partinë Rebulikane, ndërkohë që së shpejti priten të mbyllen negociatat dhe me PDR-në e Pollos. Nga koalicioni i opozitës nuk përjashtohen as liberalët, të cilët në kërkesat e tyre janë shfaqur më modestë se reformatorët. Shpresa për bërjen e një aleance me PD-në, bëri që reformatorët dhe liberalët të mos i bashkohen thirrjes së Leka Zogut për bashkim rreth lëvizjes së tij. Negociatat me PDR-në janë përqëndruar kryesisht në lënien e zonave të lira për krerët kryesorë të kësaj partie, Pollo, Ndoka, Xhaferri dhe Shehu, të cilët kanë kërkuar kandidim në zona të sigurta si kusht për bashkëpunimin. Burime nga reformatorët shprehen se brenda këtyre ditëve do të përfudnojnë dhe bisedimet me krerët e PD-së, ku do të vuloset përfundimisht aleanca mes tyre. Nga ana e tij, kreu demokrat Berisha mësohet të jetë shprehur se bashkëpunimi do të realizohet dhe do të shihen të gjitha rrugët për gjetjen e skemës së duhur. Për sa i përket republikanëve dhe liberaldemokratëve duket se për ta do të funksionojë skema e proporcionalit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›