PS afron PBDNJ-në në aleanca zgjedhore

31/03/2005 Partia Socialiste po përgatit platformën e saj elektorale me praninë edhe të përfaqësuesit të Partisë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut në qeveri, Leonard Solis. Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit të punës, për platformën elektorale të PS-së, ka qenë i pranishëm dhe ministri Solis. Përgatitja e terrenit për të krijuar aleanca parazgjedhore mes PS-së dhe PBDNJ-së duket se sapo ka filluar për socialistët, të cilët po kërkojnë një mandat të tretë qeverisës. Mbledhja, e cila drejtohej nga numri dy i selisë socialiste, Gramoz Ruçi, ka përcaktuar me detaje fushatën elektorale të PS-së, ku Solis ka diskutuar si ministër i Shëndetësisë, mbi objektivat e kësaj qeverie dhe prioritete që do të ketë në 4 vitet e ardhshme. Vetëm disa javë më parë, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka deklaruar se forca e tij politike do të dalë e vetme në zgjedhjet e përgjithshme, por, me sa duket, sapo kanë filluar hapat e parë të bashkëpunimit mes këtyre dy forcave aleatë në "Kolicionin për Integrim". Aleanca mes PS-së dhe PBDNJ-së pritet të shoqërohet dhe me negociata mes përafqësuesve të këtyre partive. Ndërkohë që, PS-ja pritet të zhvillojë bisedime dhe me forca të tjera të "Koalicionit për Integim" për të realizuar një bashkëpunim me qëllim fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme. Pas mbajtjes së Kongresit më 23 prill, socialistët do të jenë më të qartë në marrëdhëniet e tyre me aleatët aktualë të "Koalicionit për Integrim". Gjithsesi, sipas deklaratave nga selia socialiste, PS-ja duket se është e gatshme që të bashkëpunojë më partitë politike të majta, duke i dhënë hapësira në proporcional. Konkretizimi i deklaratave të PS-së pritet të jetë objekt i ndonjë tryeze të ardhshme mes mazhorancës dhe partive të majta.