“Komisioni Europian do të jetë aleati i Shqipërisë për integrimin në BE”

Kryeministri Berisha, mbledh Komiteti Ndërministror i Integrimit, të pranishëm dhe Drejtori i KE për Ballkanin, Pierre Mirel, Ambasadori Lohan
Kryeministri Sali Berisha shpreh edhe njëherë zotimin e kabinetit qeverisës që drejton,
për vërtetësinë e të gjitha përgjigjeve të pyetësorit për të kaluar me sukses provën e parë të madhe të autoriteteve shtetërore shqiptare në procesin e integrimit të vendit në BE. Gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Integrimit, kreu i qeverisë Berisha, në prani edhe të Pierre Mirel dhe Helmut Lohan, vlerësoi se këto momente janë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi BE vendosi në unanimitet të pranojë kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe i kërkoi Komisionit Evropian të nisë konsultimet për këtë proces, i cili është një proces në vazhdim, por edhe një proces i ri që shënon fillimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kryeministri Berisha duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë pyetësor, mbi të cilin Komisionin Evropian do të krijojë mendimin edhe vlerësimin për situatën reale në Shqipëri garantoi se qeveria e tij ka vetëm një moto: reformat “perpetua mobile”, si një kusht vendimtar për të bërë Shqipërinë më të përshtatshme me standardet, praktikat, normat evropiane dhe si një kusht për ndryshimin e vendit.
“Unë dua t’ju garantoj se qeveria nuk do të tërhiqet, por do të procedojë me të gjithë reformat, pavarësisht nga çmimi që ato kanë, sepse ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Ne kemi një avantazh të madh si qeveri, mbështetjen e jashtëzakonshme që shqiptarët i bëjnë procesit të integrimit. Besimi i madh që treguan ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian duke pranuar kërkesën; gatishmëria e Komisionit Evropian për t’iu përgjigjur vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së, e cila dëshmohet nga pranua juaj sot këtu; mbështetja me mbi 95 për qind e procesit të integrimit nga qytetarët shqiptarë, janë obligime shumë të mëdha për qeverinë time, për të cilat ne do të qëndrojmë me të gjitha potencialet tona për t’i përmbushur”, u shpreh kryeministri Berisha.
Ndërsa nga ana e tij, drejtori në Drejtorinë për Zgjerim në KE, për Ballkanin Perëndimor, Pierre Mirel shtoi se detyra e Komisionit Evropian është krijimi i një opinioni të balancuar dhe të besueshëm. Mirel theksoi se zbatimi i Marrëveshjes dypalëshe deri më tani ka qenë i kënaqshëm, por do të shikohen edhe çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me administratën doganore, me TVSH-në, me kriteret politike, kriteret ekonomike, me çështjen e pronësisë, si dhe me një pjesë tjetër të standardeve evropiane siç janë dhe ambienti, bujqësia, tregu i brendshëm, etj.
Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Mirel e vlerësoi si shumë të rëndësishme në këtë proces bashkëpunimin, angazhimin dhe dedikimin e të gjitha institucioneve shqiptare.
“Detyra jonë është të kemi një opinion të balancuar dhe të besueshëm. Prandaj, ne do t’ju japim një sërë pyetjesh dhe në qoftë se përgjigjet që marrim nuk janë tepër të qarta ne, sigurisht, do t’ju kthehemi dhe t’u bëjmë pyetje të tjera ministrive apo agjencive të ndryshme për të qartësuar ndonjë gjë që nuk e kemi kuptuar. Po të pyesim të gjitha ato shtete që tashmë janë bërë anëtare të Bashkimit Evropian jam i sigurt ato që do të thonë se Komisioni ka qenë për t’a një aleat në këtë proces. Kjo është e vërtetë, pavarësisht se ndonjëherë jemi aleatë të vështirë”, u shpreh Mirel.
Ndërsa, ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmut Lohan, vuri në dukje se e gjithë ndihma që qeveria shqiptare po jep në lidhje me kapacitetet është një parakusht i këtij ushtrimi, pasi kjo garanton dhënien e përgjigjeve të sakta e të mira.
Lidhur me përgatitjen e institucioneve dhe gjithë administratës shqiptare për këtë proces ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, pasi bëri një prezantim të punës përgatitore të bërë deri më tani për pyetësorin, si dhe garantoi se për sa i përket pjesës organizative Shqipëria do të jetë e gatshme të fillojë punën për t’iu përgjigjur menjëherë pyetjeve, sapo pyetësori të ketë përfunduar, u shpreh se qeveria shqiptare do të krijojë të gjithë mundësitë që t’iu përgjigjet pyetjeve në mënyrë reale, brenda një kohe sa më të shkurtër, sigurisht pa lënë mënjanë cilësinë në këtë proces
Në fund të mbledhjes, duke i falënderuar edhe një herë të pranishmit për prezencën e tyre, kryeministri Berisha theksoi se qëllimi kryesor i qeverisë shqiptare do të jetë vërtetësia në të gjitha përgjigjet, për të kaluar me sukses provën e parë të madhe të autoriteteve shtetërore shqiptare në qëndrimin ndaj procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Bujar Nishani – Pierre Mirel: Marrëdhëniet Shqipëri-BE kanë hyrë në një fazë intensive/Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani zhvilloi dje një takim me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, dhe ambasadori i Delegacionit të KE në Tiranë Helmut Lohan.
Përfaqësuesi i KE, Mirel, vlerësoi fillimisht miratimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit si vend anëtar dhe deklaroi se marrëdhënia e Shqipërisë me BE-në ka hyrë në një fazë krejtësisht të re. “Shqipëria ka hyrë në një proces qëllimi i të cilit është anëtarësimi në BE ndaj edhe reforma në drejtësi është një kriter shumë i rëndësishëm në këtë proces”, u shpreh Mirel.
Ai vlerësoi hapat e ndërmarra deri tani nga Ministria e Drejtësisë në miratimin e ligjeve si dhe vlerësoi si shumë të rëndësishme hapat e mëtejshëm që do të hidhen në Strategjinë e reformës në Drejtësisë si dhe shprehu shpresën që opozita të kthehet në parlament për të debatuar dhe miratuar ligje shumë të rëndësishme për vendin.
Në fjalën e tij Pierre Mirel vlerësoi edhe hapat që po ndërmerren për realizmin e reformës së të drejtave të pronës, duke e konsideruar këtë shumë të rëndësishme për thithjen e investimeve të huaja në vend madje po aq të rëndësishme sa edhe implementimin e gjykatës administrative.
Ndërsa nga ana e tij, ministri i Drejtësisë Bujar Nishani, bëri një rezyme të punës dhe objektivave të realizuar nga institucioni që ai drejton si dhe vlerësoi mbështetjen që Bashkimi Europian i ka dhënë vendit si në asistencën ligjore ashtu edhe në investimet e realizuara për ngritjen e infrastrukturës moderne në sistemin e gjykatave dhe në sistemin e institucioneve të vuajtjes së dënimit.