Qeveria anulon shitjen e paligjshme të tokës publike, nga Edvini, tek miku i tij, pronari i “Taiwan”-it

Kryeministri Berisha paralajmëron se përvetësuesit e pandershëm, shitësit dhe blerësit, do të përballen me ashpërsinë e ligjit
“Mbrapa qëndrimit që të shkelmojë mbi vendimin e gjykatave, qëndrojnë interesat mafioze, të konvertuara në qindra e qindra, në mos në shumë qindra milion euro, se po bëhen llogaritjet, të cilat fillojnë me qendrën e Tiranës dhe shtrihen në të gjithë gjatësinë e bregut, nga Velipoja në Ksamil”.
Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje ministrit të Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomuniacionit, Sokol Olldashi, të paraqesë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave, në zbatim të Kushtetutës dhe përgjegjësinë e plotë të Këshillit të Ministrave, anulimin e vendimit të shitjes së pronës publike te Parku “Rinia”.
Kreu i qeverisë paralajmëroi gjatë mbledhjes së qeverisë anulimin e të gjitha procedurave të shitjes, ndërsa shtoi se pronari përvetësues do të përballet me ligjin, bashkë me atë që e ka autorizuar dhënien e tokës. Kryeministri argumentoi shkeljen e hapur të ligjit me aktin e shitblerjes së këtij trualli në qendër të Tiranës, duke theksuar se një transparencë e tillë do t’i bëhet të gjitha rasteve të ngjashme me këtë rast, të përvetësimit të pasurisë publike për interesa personale.
“Qeveria, në zbatim të Kushtetutës, do të anulojë vendimin e shitjes. Pronari përvetësues do të përballet me ligjin, bashkë me atë që ka autorizuar dhënien e tokës. Po kaq e shëmtuar është shitja e tij, pasi nuk kanë ngurruar për ta përvetësuar atë me çmimet më qesharake. Një truall, që në vendin ku ndodhet, e ka çmimin mbi 2 mijë euro metra katror, është blerë për 95 euro. Shumë shpejt do t’u faktoj shqiptarëve, njësoj si me këtë rast, se mbrapa qëndrimit të shkelmojë mbi vendimin e gjykatave, qëndrojnë interesat mafioze, të konvertuara në qindra e qindra, në mos në shumë qindra milion euro, të cilat fillojnë me qendrën e Tiranës dhe shtrihen në të gjithë gjatësinë e bregut, nga Velipoja në Ksamil. Dua t’i kërkoj ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, të sjellë me urgjencë në qeveri vendimin për të anuluar dhunimin flagrant dhe mafioz të ligjit mbi shitblerjen e trojeve në Republikën e Shqipërisë, dhunim, i cili konsiston në përvetësimin në kundërshtim me ligjin e vendit të 1350 metrave tokë publike nga kryebashkiaku i Tiranës dhe Besniku i tij, në zemër të qytetit”, u shpreh kryeministri.
Berisha vuri në dukje kryebashkiaku Edi Rama dhe Besniku i tij, kanë shkelur rëndë ligjet e vendit duke përvetësuar në mënyrë ekstra ligjore pronën publike në qendër të Tiranës. “Ligji për shitblerjen e trojeve numër 7980, datë 27.7.1995, neni 3 i tij thotë se derisa të përfundojë kompensimi fizik i ish pronarëve, kalimi i trojeve të lira nga pronë shtetërore në pronë private bëhet vetëm në rastet si vijojnë: Për ndërtimin e banesave me qëllim të lirimit të banesave të ish pronarëve, si dhe për të pastrehët të ndërtuara nga Enti i Banesave për persona të tjerë. Me vendim të Këshillit të Ministrave për shitje për investime shumë të rëndësishme për vendim. Janë vetëm këto dy rrethana që ligji i këtij vendi autorizon apo mundëson shitjen e trojeve publike. Në rastin konkret, kryebashkiaku dhe Besniku i tij me tokën që kanë përvetësuar në qendër të Tiranës kanë shkelur rëndë ligjet e vendit. Besniku i Ramës e mori për të ndërtuar banesa për ish pronarët me Ramën? E ka bërë lokal tërësisht të përbashkët me kryebashkiakun”, deklaroi Berisha.
Shefi i ekzekutivit theksoi gjithashtu se po aq e turpshme është edhe shitja e truallit, duke e përvetësuar atë me çmimet më qesharake.
“Një truall, që në vendin ku ndodhet, e ka çmimin mbi 2 mijë euro metra katror, është blerë për 95 euro. Dosja do t’i dërgohet me urgjencë prokurorisë. Qeveria, në zbatim të Kushtetutës, do të anulojë vendimin e shitjes. Pronari përvetësues do të përballet me ligjin, bashkë me atë që ka autorizuar dhënien e tokës”, nënvizoi kryeministri.
Berisha shtoi se “qëndrimi ynë do të jetë ky, ndërkohë unë theksova se kjo është vetëm maja e ajsbergut”.
“Ky truall që ka një vlerë prej 3 milion euro, e kthyer në sipërfaqe ndërtimi apo në shesh tavolinash ahengu, vlera e tij është rreth 10 milion euro. Më duhet të them se shumë shpejt do t’u faktoj shqiptarëve, njësoj si me këtë rast, se mbrapa qëndrimit të shkelmojë mbi vendimin e gjykatave, qëndrojnë interesat mafioze, të konvertuara në qindra e qindra, në mos në shumë qindra milion euro, se po bëhen llogaritjet, të cilat fillojnë me qendrën e Tiranës dhe shtrihen në të gjithë gjatësinë e bregut, nga Velipoja në Ksamil. Të gjitha pa përjashtim do të kenë fatin e kësaj. Publikut do t’i bëhet transparencë e plotë, në mënyrë që edhe shqiptari i fundit të kuptojë se përse kjo aleancë nuk kërkon gjë tjetër veçse shkelmimin e vendimit gjyqësor, që për zgjedhjet, për pronat, për krimin, për votën, për mosmarrëveshjet të mos vendoset më në gjykata, por të vendoset në shpella, në bodrume. Por kjo nuk do të ndodhë kurrë. Ndaj mbledhjen tjetër dua vendimin për të anuluar këtë shitblerje se, në bazë të Kushtetutës, është Këshilli i Ministrave përgjegjës për zbatimin e ligjeve që ka miratuar. Ndjekje penale për ata që kanë dashur të përvetësojnë këtë pasuri publike dhe për të gjitha pasuritë e tjera publike”, tha më tej në fjalën e tij në mbledhjen e radhës të qeverisë, kryeministri i vendit Sali Berisha.