E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni Evropian: Lejet e qëndrimit të njihen në gjithë BE-në



“Karta Blu” për emigrimin ilegal mund të bëhet shumë herë më e lehtë nga sa ishte menduar. Komisioni Evropian ka propozuar dje që çdo leje qëndrimi e lëshuar nga një vend anëtar i BE-së, të jetë e vlefshme edhe në vendet e tjera të unionit. Nëse ky draft do të kthehet në direktivë të BE-së, të gjithë emigrantët e ligjshëm shqiptarë në Itali, Greqi dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian do të mund të lëvizin dhe të qëndrojnë në çdo vend tjetër të BE-së pa pasur nevojën e aplikimit për leje të re qëndrimi. Diskutimi fillestar kishte të bënte me vendosjen e një karte të përbashkët, si “Karta Jeshile” në SHBA, që do të quhej “Karta Blu”. Por duket se pas skepticizmit ndaj kësaj mase, Komisioni Evropian ka shkuar një hap më tej, duke unifikuar në terren të gjitha lejet e qëndrimit. Që kjo masë të hyjë në fuqi, duhet të marrë miratimin e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së.

Barrozo: Jemi gati

Duke folur për mediat, kryekomisioneri Barrozo kishte deklaruar pak kohë më parë se e mirëpret këtë propozim dhe se shumë shpejt drafti do të ishte gati, çka është kthyer tashmë në realitet. “Besoj se duhet të kemi një politikë të përbashkët në pranimin e emigrantëve, pasi prania e tyre në një shtet ndikon pashmangshmërisht vendet e tjera”, – citohet Barrozo nga “London Tajms”. Ndërkaq, komisionari për Punësimin, Çështjet Sociale dhe Shanset e Barabarta, çeku Vladimir Spidla, është shprehur se në kushtet e krizës ekonomike botërore është e nevojshme që politikat e emigrimit të jenë të përbashkëta, duke i vendosur një theks të veçantë thithjes së punëtorëve të kualifikuar nga vendet jashtë BE-së, në mënyrë që emigrantët të mos mbeten pa punë kur emigrojnë, duke krijuar kaos shoqëror.

Karta Blu

Ideja e një sistemi të përbashkët emigrimi në vendet e BE-së është hedhur për herë të parë në vitet ‘80 nga kryekomisioneri i atëhershëm, Zhak Delor. Por, në modelin aktual është artikuluar nga Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, në fillim të mandatit të saj. Emërtimi “Karta Blu” (anglisht: “Blue Card”) është modeluar në bazë të “Kartës Jeshile” amerikane (anglisht: “Green Card”), por duket se vetëm emërtimi është i përbashkët.

Kjo, pasi, nëse “Karta Blu” kthehet në realitet, në vendet e BE-së do të hyjnë vetëm punëtorët e kualifikuar, pra ata që kanë një shkollë apo kurs të specializuar për profesionin e tyre. Ndërkohë që rëndësi do t’u jepet moshave që janë më të afta për punë, si edhe atyre që dinë gjuhën e vendit të BE-së që përcaktojnë si parësor për të emigruar. Tashmë që është strukturuar përfundimisht drafti nga ana e Komisionit Evropian, pritet miratimi në Parlamentin Evropian dhe në mbledhjen e 27 ministrave përkatës të Këshillit të Bashkimit Evropian. Por, vendimmarrja duket se do të merret nga kryeministrat dhe presidentët e 27-shes, gjatë mbledhjes që kryejnë një herë në gjashtë muaj në Këshillin Evropian.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›