IRA, furnizime me armë nga Shqipëria
Grupi separatist irlandez, IRA, që mori përgjegjësinë për sulmet e fundit në Irlandën e Veriut, ku u vranë dy ushtarë britanikë, ka marrë armë dhe municione nga Shqipëria. Lajmi bëhet i ditur në një artikull të të përjavshmes britanike “Sunday Times”, ku citohen burime nga shërbimet sekrete irlandeze.
Në artikull shkruhet se IRA është furnizuar me armë, përfshi ato automatike dhe pistoleta, nga vendi ynë. Dyshohet se transportimi i armatimeve është kryer para vitit 2004, kohë kur separatistët irlandezë rinisën sërish aktivitetin e tyre, pas pakënaqësive të lindura në vend. Real Ira është kthyer në një kërcënim serioz për paqen e brishtë në Irlandën e Veriut, vend i cili ka përjetuar dhunë dhe konflikte si pasojë e fraksioneve të ndryshme që veprojnë në vend.
Sulmi më i fundit i tyre ishte para disa ditësh në një garnizon, ku humbën jetën dy ushtarë britanikë. Policia irlandeze ka arrestuar tre persona të IRA-s si fajtorë për vrasjen e dy ushtarëve britanikë të shtunën e shkuar, në aktin më vdekjeprurës të dhunës në Irlandën e Veriut në 12 vitet e fundit.
Real Ira që thuhet se është furnizuar me armë nga Shqipëria, është formuar në vitin 1997, nga Majkëll Mekevit, gjenerali ushtarak i IRA-s, ose përgjegjësi për armët dhe eksplozivet. Ai vendosi të largohej nga IRA pas vendimit të Shin Fejnit që të firmoste ndalimin e dhunës, që solli dhe marrëveshjen e paqes ‘E premtja e mirë’ e vitit ‘98 mes IRA-s që kërkonte Irlandë të Bashkuar dhe grupimeve që donin bashkimin e Irlandës me Britaninë.
Mekeviti mbështetet sot nga të gjithë republikanët radikalë të IRA-s, të pakënaqur me këtë marrëveshje paqeje. Real Ira ishte fajtore për sulmin më të egër të gushtit ‘98 për makinën bombë në Omah, ku 29 vetë vdiqën. Real Ira ose IRA ka shpallur armëpushimin në vitin 2005, por tani është rigrupuar. Aktualisht, themeluesi i këtij grupi, Mekevit, ndodhet në burg, por veprimtaritë e grupit kanë rinisur që para dy viteve dhe ata kanë deklaruar se janë gati të hidhen në luftë. Sot, Real Ira drejtohet nga ekstremisti Simus Megrejn. Shërbimi sekret irlandez është përpjekur të infiltrojë spiunë të mundshëm (terroristë irakianë), për t’u lidhur me IRA-n dhe për t’u ofruar atyre para dhe armatime.
Artikulli paraqet tri grupe problematike aktualisht në Irlandë, ku më e forti është është Real Ira, që vazhdimisht ka qenë në hetim nga shërbimet sekrete irlandeze për import dhe eksport armësh. Grup tjetër është Continuing Ira, vazhdimësia e Irë-s dhe i treti ‘Vullnetaret e Irlandës’. Organizata më e rrezikshme, Real Ira, nisi sërish përgatitjet për një luftë të mundshme ndaj britanikëve. Dhe sipas shërbimeve sekrete irlandeze, atyre u duheshin armë, të cilat i kanë siguruar nga furnizimi prej vendit tonë.